Muharremaj: Jam institucionalist, e respektoj kush është në qeveri – Projektligji i buxhetit është antikushtetues

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se komuna që ai e drejton, fatmirësisht ka shpëtuar nga vërshimet që përfshinë Kosovën muaj e fundit. Ndonëse përmend raste kur ka pasur dëme, Muharremaj thotë se këto janë evituar falë intervenimeve që kanë bërë si nivel lokal.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Muharremaj ka thënë se për t’iu shmangur fatkeqësive, kanë investuar një milion euro në zgjerimin dhe hapjen e disa kanaleve në qytet dhe fshatra.

I pari i Suharekës ka folur edhe për kompensimin që qytetarët kanë marrë nga niveli lokal dhe ai qendror.

“Në vërshimet që patë në disa komuna, ne kemi kaluar më mirë, pasi që kemi bërë disa intervenime me kohë, pra po flasim për punët e para dy dhe ju e dini se para tre vitesh ne kemi pas vërshime të mëdha, e dëme të mëdha por që kemi arrit të investojmë afërsisht 1 milion euro, kemi hap disa kanale. Kështu kemi pas disa fshatra që janë rrezikuar por për fat të mirë, kemi kaluar shumë mirë dhe nuk kemi pas dëme të mëdha”, tha Muharremaj.

“Po dëme kemi pas, dy herë na ka ndihmuar edhe Ministria e Bujqësisë, kemi bërë komisione të përbashkëta, kemi bërë vlerësimin e tyre dhe kuptohet se asnjëherë nuk kemi mundur t’ia kompensojmë dëmet komplet por aq sa kemi pas mundësi e kemi bërë. Mirëpo këtë vit ka dal një komision nga Ministria, e ka bërë punën e tyre dhe asnjëherë nuk i kam pyetur sesa është bërë dëmi këtë vit pra para një muaji që kishte reshje shiu”, u shpreh Muharremaj.

Muharremaj ka thënë se ndërtimi i dy Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe i disa çerdheve tjera, do të jenë prioritet vitin e ardhshëm. Për këto të fundit, thotë se nuk do të ketë më nevojë në Suharekë.

“Nga viti i ardhshëm fillojmë me dy Qendra të Mjekësisë Familjare, fillojmë me ndërtimin e katër sallave sportive, këtë vit kemi startuar me një shkollë të re në fshatin Samadraxhë, do të kemi edhe çerdhe të fëmijëve, presim së shpejti ta lëshojmë edhe një çerdhe në Suharekë me 1700 metra katrorë, edhe një tjetër në fshatin Bukosh, kështu që numrin e çerdheve po arritim ta bëjmë në dhjetë, pra nuk do të kemi më nevojë për çerdhe në Suharekë”, u shpreh Muharremaj, duke thënë se prioritet do ta kenë shëndetësinë dhe arsimin.

Duke folur për Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023, përmes të cilit potencohet se të hyrat vetanake të pashpenzuara do të derdhen në Fondin Buxhetor të Republikës së Kosovës, Muharremaj e quan anti-Kushtetues. Ai pret që ligjvënësit ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.

“Për mua, bllokimi i të hyrave vetanake nuk ka ndodh asnjëherë që nga paslufta. Është shkelje e ligjit, mirëpo për këtë punë besoj se deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta dërgojnë lëndën në Gjykatën Kushtetuese, pasi që është shkelje sepse të hyrat vetanake barten çdo herë, mirëpo e kanë marrë një vendim që këto të hyra nuk kanë mundësi me u bartë, është çështje e tyre, mirëpo ne do ta zbatojmë ligjin që është në fuqi”, thotë ai.

“Unë jam pak më ndryshe se të tjerët, jam institucionalist e i respektoj pa dallim kush është në Qeveri, i respektoj ministrat dhe kam një bashkëpunim të mirë, kështu që ne kemi pas mjete dhe nuk mundet me thënë të kundërtën, kemi bashkëpunim me të gjithë dhe ka qenë një vit shumë i suksesshëm”, tha ai.