14.1 C
New York
Wednesday, October 9, 2024

Buy now

Mrekullia e rërës së plazheve

- Advertisement -

Rëra të shkakton dhembje po t’u fut në sy, por ç’ndjesi çlodhëse të krijon kur ecën zbathur në të!

Rërën e gjen me shumicë në ujin e deteve, por është me bollëk edhe në shkretëtirat e djegura për ujë, njofton Klan Kosova.

Mori krijesash ia mbathin kur ajo u pushton shtëpitë, por të tjera e kanë atë shtëpinë e tyre. Shpesh shihet si diçka e bezdisshme, por pa të jeta sot do të ishte thuajse e pamundur.

Nga përshkrimi i mësipërm, duket sikur rëra është një lloj paradoksi.

Por çfarë është në të vërtetë rëra dhe nga formohet ajo?

Fillim i ashpër

Rëra përbëhet nga pjesëza mineralesh, shkëmbinjsh ose dheu, dhe në shumicën e rasteve nga kuarci. Male të larta, dikur shkëmbore, tani janë gërryer e janë kthyer në rërë. Si ndodh kjo gërryerje?

Shpesh rëra formohet si pasojë e furisë së oqeaneve. Dallgët përplasen pas shkëmbinjve bregdetarë. Këto përplasje bëjnë që pllaka shkëmbinjsh të lëvizin dhe të shkëputen nga pjesa tjetër e shkëmbit. Edhe copa shumë të mëdha nuk i bëjnë dot ballë vrullit të pareshtur të oqeaneve dhe kështu ndahen në copa më të vogla që dallgët shkumëzuese i përplasin në breg. Ujërat e trazuara i lëmojnë skajet e mprehta të copave, duke formuar popla gurësh. Dalëngadalë lëvizja e vazhdueshme i kthen këto popla në guralecë. Këta të fundit thërrmohen në copëza edhe më të vogla, të cilat formojnë atë që ne e quajmë rërë. Ndonjëherë uji e merr me vete rërën, por në shumë vende dallgët e depozitojnë atë gjatë bregut duke formuar plazhe të virgjëra.

Kur forca e oqeanit kombinohet me motin e ftohtë, uji ngrin dhe mbetet i bllokuar në shkëmb e në këtë mënyrë formon pyka prej akulli që e çajnë shkëmbin. Copëtimi vazhdon më tej, duke i kthyer masat e mëdha shkëmbore në copa gjithnjë e më të vogla, derisa më në fund formohet rëra.

Gjithashtu, era bën pjesën e saj. Ajo i ngre kokrrizat e rërës dhe i përplas ato pas shkëmbinjve. Kjo gërryerje krijon edhe më shumë rërë. Shtresa shkëmbore me trashësi dhjetëra metra i nënshtrohen këtij procesi natyror smerilimi me rërë. Ndërkohë era e shpërndan rërën e krijuar dhe e shtron si një qilim nëpër shkretëtira.

Gjatë mijëvjeçarëve, këto procese gërryese kanë formuar tonelata të panumërta rëre. Shumë njerëz do të kënaqeshin edhe sikur rëra të shërbente vetëm për të formuar jastëkë të butë me forma të ndryshme në plazh. Por, siç do ta shohim, dobitë e rërës janë shumë më tepër se kaq.

Kokrriza shumë të vogla, dobi shumë të mëdha

Ajo që hamë dhe që pimë varet në një masë të madhe nga rëra. Si është e mundur? Në një mënyrë ose në një tjetër, të gjitha ushqimet që hamë vijnë nga bimësia e tokës. Rëra dhe kushërirat e saj të thërrmuara imët, si lymi dhe argjila, sigurojnë kripërat minerale që u nevojiten bimëve. Përveç kësaj, rëra që ndodhet nën dhe bën të mundur që aty të qarkullojë ajri dhe uji. Kështu, rrënjët e bimëve mund t’i thithin me lehtësi lëndët ushqyese. Megjithatë, në ç’mënyrë na ndihmon rëra që të shuajmë etjen?

Po të mbushni me rërë të thatë një vazo me vëllim një litër, në vazo mund të shtoni edhe 300 mililitra ujë e megjithatë uji nuk do të derdhet. Kjo ndodh, sepse rëra është e shkrifët—që do të thotë se midis kokrrizave ka shumë hapësirë. Në fakt, ekzistojnë disa «vazo uji» prej rëre kaq të mëdha, sa do të mjaftonin për të furnizuar me lëngun jetëdhënës qytete të mëdha. Çfarë janë këto vazo?

Formacione gjeologjike, të quajtura horizonte ujëmbajtëse të cilat ndodhen nën sipërfaqen e një pjese të madhe të tokës. Meqë formohen nga shtresa të mëdha me rërë dhe minerale të tjera poroze, brenda tyre ato mbajnë ujë, i cili ndoshta ka mijëra vjet që vazhdon të filtrohet nën tokë. Shkencëtarët llogaritin se këto «vazo uji» të padukshme mbajnë 40 herë më shumë ujë të ëmbël sesa liqenet dhe lumenjtë e tokës. Puset thithin nga këto shtresa ujëmbajtëse lëngun e çmuar që mbështet jetën e miliona njerëzve.

Rërë para syve

Ju ndoshta shkelni çdo ditë në rërë edhe pa shkuar fare në plazh. A janë të shtruara me beton rrugët ose trotuaret në vendin ku jetoni? Në disa raste, rëra përbën çerekun e këtij materiali që përdoret shumë në ndërtim. Qindra milionë tonelata rërë harxhohen çdo vit si material ndërtimi. Kjo është një sasi kaq e madhe, saqë në disa vende është ndier mungesa e rërës.

Ndonëse zakonisht rërën e kemi poshtë këmbëve, në një formë tjetër atë mund ta kemi edhe para syve. Ka mundësi që për të prodhuar ekranin e kompjuterit të jetë përdorur rërë, si edhe për thjerrat e teleskopëve që ndodhen në male dhe ato të mikroskopëve të tryezës. E njëjta gjë mund të thuhet për vazot prej kristali dhe për pasqyrën që mund të keni në banjë. Të gjithë këta artikuj janë prej qelqi, dhe rëra përbën më shumë se gjysmën e lëndës së parë që përdoret për prodhimin e qelqit. Si përdoret rëra për të prodhuar qelqin?

Rëra dhe përbërës të tjerë përzihen dhe shkrihen në temperatura mbi 1.400 gradë Celsius. Lëngu veshtullor që përftohet mund të bëhet si cilindër, të fryhet, të përkulet, të zgjatet dhe të përdridhet duke marrë pothuajse çdo formë. Madje me fibrat e qelqit mund të thuren edhe pëlhura. Por sido që të jetë, qoftë i përdorur për zbukurim ose në industri, qoftë kur përthyhen ose pasqyron rrezet, qelqi i lëmuar dhe i tejdukshëm formohet nga kokrrizat e patejdukshme të rërës.

Rëra që lëviz

Përfytyroni një kodër 75 metra të lartë që lëviz. Kjo gjë ndodh kur pirgje rëre, që quhen duna, lëvizin të shtyra nga era. Në disa pjesë të Saharasë duket sikur dunat i shtrijnë në pafundësi kreshtat e tyre të valëzuara.

Kur njerëzit jetojnë pranë tyre, dunat mund t’u bëjnë atyre ndonjë vizitë të pakëndshme. Dihet që rëra duke u zhvendosur ka bllokuar rrugë të mëdha, ka mbuluar shtëpi dhe ka varrosur qytete të tëra.

Zien nga jeta

Ndonëse mund të duket pa jetë, për shumë krijesa rëra është shtëpia e tyre. Dhelprat, gjarpërinjtë dhe akrepat fshihen gjatë ditës nën rërën e shkretëtirës. Pasi flenë gjatë orëve të nxehta të ditës, ata dalin natën për të gjuajtur. Përgjatë Bregut të Skeletit në Namibi, në Afrikën Jugperëndimore, elefantët enden nëpër dunat e mëdha. Të duket sikur ata argëtohen në shpatet e pjerrëta prej rëre, teksa rrëshqasin duke tërhequr zvarrë këmbët e prapme. Deveja, që njihet edhe si «anija e shkretëtirës», i bie pash më pash deteve të rërës në Azi dhe në Afrikë.

Disa kafshë dalin nga oqeani për ta shfrytëzuar rërën. Kur bie zilja e orës së tyre biologjike, gaforret në formë potkoi, breshkat e ujit dhe peshq të vegjël të quajtur peshq të argjendtë i «kalërojnë» dallgët që ato t’i çojnë deri në breg. Atje, nën butësinë e rërës, shtrojnë vezët për periudhën e inkubacionit.

Për disa lule, dunat janë po aq të rehatshme sa edhe vazot e luleve. Koçkullat bregdetare, bimët e gjinisë Cakile dhe ato të gjinisë Ipomoea imperati lulëzojnë në rërë dhe i nxjerrin përsëri kokat nga rëra edhe kur dunat i mbulojnë. Rrënjët e tyre të gjata thithin ujin dhe lëndët ushqyese për t’ua çuar luleve të brishta, të cilat janë si penelata të lehta ngjyrash në kanavacën monotone njëngjyrëshe të rërës.

Kuptohet, rëra mund t’ju acarojë kur ju futet në këpucë teksa ecni në breg. Por mos u mërzitni.

Të magjepsur pas rërës

Rëra mund të ketë shumëllojshmëri ngjyrash. Në vende të ndryshme mund të gjesh rërë me ngjyrë të zezë sterrë, borë të bardhë, vjollcë, gri, të kuqe, portokalli, të verdhë dhe shumë nuanca të ndërmjetme. Disa kokrriza rëre përmbajnë një përzierje guaskash të thërrmuara. Shumëllojshmëria e ngjyrave dhe e përbërjes së rërës i ka magjepsur kaq shumë disa njerëz, saqë kanë filluar të bëjnë koleksione me rërë. Shumë prej tyre i gjen duke tregtuar rërë, duke udhëtuar për ta gjetur atë dhe duke u përkulur për të mbledhur në shishe të vogla qelqi kampionë rëre që i shtohen koleksionit të tyre. Ata e quajnë veten ‘dashurues të rërës’.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit