José Mourinho është shumë pranë rikthimit në bankinën e Real Madridit.
Sipas raportimeve të mediave italiane dhe ekspertit të transfereve Fabrizio Romano, trajneri portugez ka mbërritur në Madrid, ndërsa mungon vetëm firma në kontratë për ta bërë marrëveshjen zyrtare.
Palët thuhet se e kanë arritur tashmë një marrëveshje verbale për bashkëpunimin, ndërsa dokumentacioni përfundimtar pritet të nënshkruhet në orët ose ditët në vijim.
Marrëveshja e parashikon një kontratë fillestare dyvjeçare për trajnerin portugez.
Për Mourinhon do të ishte një rikthim i bujshëm në “Santiago Bernabéu”, aty ku ai drejtoi Real Madridin nga viti 2010 deri në vitin 2013, duke e fituar një titull kampioni në La Liga, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës.
Lajmi ka ngjallur entuziazëm te tifozët madrilenë, të cilët e presin me interes rikthimin e “The Special One” në krye të skuadrës.
Megjithatë, deri në momentin e firmës dhe njoftimit zyrtar nga klubi spanjoll, mbetet të pritet konfirmimi përfundimtar.
Sipas raportimeve të fundit, Mourinho ka mbërritur tashmë në kryeqytetin spanjoll dhe gjithçka duket gati për kapitullin e tij të dytë te Real Madridi.






