Real Madridi mund të përjetojë ndryshime të mëdha në skuadër në rast se drejtimin e ekipit e merr José Mourinho, përfshirë edhe largime të bujshme të disa lojtarëve kryesorë.
Sipas mediumit portugez “Record”, Mourinho ka zhvilluar bisedime me presidentin e klubit, Florentino Pérez, për rikthimin e tij në stolin e “Los Blancos” në sezonin e ardhshëm, ndërsa thuhet se në rast se ai merr drejtimin, do të miratojë një listë të gjerë largimesh në skuadër.
Në këtë listë përfshihen portieri Andriy Lunin, mbrojtësit Fran Garcia dhe Ferland Mendy, mesfushori Dani Ceballos si dhe sulmuesi Gonzalo Garcia.
Të gjithë këta lojtarë kanë pasur rol të kufizuar këtë sezon ose janë përballur me probleme të ndryshme fizike.
Po ashtu, raportohet se edhe mesfushori Eduardo Camavinga mund të jetë në listën e lojtarëve të diskutueshëm për largim, pavarësisht se këtë sezon ka zhvilluar 43 paraqitje në të gjitha garat në pozicione të ndryshme.
Ai nuk është përfshirë në listën e Francës për turneun e madh të verës dhe është lidhur me interesim nga Manchester United FC dhe Liverpool FC.
Një tjetër emër i përmendur është edhe Federico Valverde, i cili nuk ka luajtur për Real Madridin që nga dëmtimi i pësuar pas një përplasjeje në stërvitje me Aurelien Tchouameni, ndërsa në listë përmendet edhe sulmuesi Vinicius Junior.
Braziliani ka zhvilluar një sezon të fortë me 22 gola dhe 10 asistime në të gjitha garat, por sipas “Record”, shqetësimi kryesor i klubit lidhet me mungesën e marrëveshjes për rinovimin e kontratës së tij, çka ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm në të ardhmen.






