Mourinho “as që ia ka lëshuar sytë” ofertës së Benficës, mes spekulimeve për një rikthim te Reali

- Advertisement -

José Mourinho ka zbuluar se ende nuk ka marrë në shqyrtim një ofertë zyrtare për rinovim kontrate nga Benfica, pavarësisht se marrëveshja e tij aktuale skadon në qershor të vitit 2027.

Trajneri legjendar portugez ka shtyrë të gjitha diskutimet për të ardhmen e tij deri pas përfundimit të sezonit aktual, duke shtuar më tej spekulimet se ai është kandidati kryesor për të zëvendësuar Álvaro Arbeloan te Real Madridi.

Spekulimet për rikthimin e tij në “Bernabéu” janë shtuar pasi Mourinho pranoi se kishte injoruar një propozim të ri nga drejtuesit e Benficës.

Pavarësisht dëshirës së presidentit Rui Costa për ta mbajtur “Special One” në Lisbonë, Mourinho thotë se është i fokusuar vetëm te përfundimi i sezonit.

Ai ka sqaruar se të gjitha negociatat e brendshme janë pezulluar deri pas përfundimit të angazhimeve të Benficës në kampionat, duke nisur me ndeshjen e fundit kundër Estoril këtë fundjavë.

Duke folur para kësaj ndeshjeje, Mourinho konfirmoi se ka marrë një ofertë rinovimi, por nuk ka dashur ta shqyrtojë menjëherë.

Ai tha për “Diario AS”: “Po, kam marrë një ofertë për rinovim kontrate nga Benfica të mërkurën. Oferta iu dha agjentit tim, por nuk kam dashur ta shoh, ta di apo ta analizoj. Do ta bëj vetëm nga e diela, le të themi të dielën. Askush nuk më tha që kishte një ofertë për të më treguar. As presidenti, as ndonjë person i rëndësishëm në klub. Por nëse do të më kishin thënë, do të përgjigjesha njësoj”.

Mourinho mbajti një qëndrim të përulur për madhësinë e klubit, duke theksuar se vendimi përfundimtar do të merret së shpejti.

“Java e ardhshme do të jetë e rëndësishme për mua, për të ardhmen time dhe për Benficën gjithashtu. Kur të përfundojë sezoni, Benfica duhet të fillojë të mendojë për sezonin e ardhshëm. Por, sipas kontratës dhe marrëveshjes që kam nënshkruar kur kam ardhur, kemi këtë periudhë disa ditore për të parë çfarë ndodh dhe për të marrë një vendim. Benfica është shumë më e madhe se unë; nuk ka krahasim. Është më e madhe se të gjithë – trajnerët, lojtarët, presidentët, kushdo. Prandaj, sa i përket situatës time personale, nuk ka arsye për shqetësim, sepse klubi është më i madh se të gjithë dhe nuk ka nevojë për panik nëse dikush largohet”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit