Në kontekst të postimeve të tij rreth bilancit të punës së qeverisë të cilën e udhëheq, Kurti pretendoi se përgjatë mandatit të tij ka pasur përmirësim të raportit eksport-import nga 1 me 9 në 1 me 6. Deputetja Bajrami reagoi ashpër ndaj pretendimeve të Kurtit, duke shtuar se “LVV dhe Albin Kurti janë të bindur që qytetarët e Kosovës janë analfabetë funksionalë, përndryshe si mund të justifikohen manipulimet e tyre me shifra në këtë masë.”
Bajrami ka ekspozuar interpretimin e deformuar të Kurtit, duke argumentuar se raporti mes eksporteve dhe importeve në vitin 2023 është 1 me 7, i njëjtë si në vitin 2020.
“Kanë thënë se raporti eksport import kur e ka marrë mandatin ka qënë 1:9 dhe sot është 1:6. Asnjëra nuk është e vërtetë, sepse sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2020 Kosova ka eksportuar 439 milionë euro dhe ka importuar 3,271 milardë euro, rrjedhimisht raporti eksport-import për 2020 është 1:7 derisa në vitin 2023 Kosova ka eksportuar 820 milionë euro dhe ka importuar 5,8 miliardë euro, rrjedhimisht raporti eksport-import prapë është 1:7”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Edhe deputeti Avdullah Hoti përmes një reagimi në Facebook e akuzoi Kurtin për “shtrëmbërim” në interpretimin e numrave në eksport dhe import. Deputeti i LDK-së tha se “mbulimi i importeve me eksporte gjatë 10 viteve të fundit është pothuajse i njëjtë”.
Përdredhjet e Kurtit
Kur kanë mbetur edhe pak muaj për të plotësuar mandatin e tij 4-vjeçar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një fushatë në rrjetet e tij sociale për bilancin e punës gjatë qeverisjes së tij. Ai renditi “arritjet”, duke përmendur indikatorë si rritjen mesatare ekonomike dhe dyfishimin e eksporteve si “dëshmi të një qeverisjeje të suksesshme”. Megjithatë, realiteti ekonomik i këtyre indikatorëve mbetet vite dritë larg përdredhjeve të kreut të qeverisë.
Kurti në vazhdimësi ka pretneduar përmirësim të raportit eksport-import në kohën kur të dhënat për Tregtinë e Jashtme të Mallrave në Kosovë gjatë vitit 2023, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë për një rrjedhë shumë negative të eksporteve dhe thellim të deficitit.
Përgjatë muajve të vitit 2023, raportet e tregtisë se jashtme të Kosovës, të publikuara nga ASK-ja, treguan për një rritje të theksuar të deficitit tregtar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.