Lajme

Ministri Maqedonci merr mbështetje nga Kearns për përkrahje ndaj FSK-së

By GAZETA SCANNER 1

November 19, 2023

Ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci përmbylli me takimin me miken e Kosovës, kryesuesen e komitetit për punë të jashtme të parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

 

Me këtë rast, ministri e falënderoi znj.Kearns për angazhimin e pakursyer për të prezantuar të vërtetën për Kosovën dhe kërcënimet që i vijnë vendit tonë nga strukturat e organizuara terroriste dhe para-ushtarake, të mbështetura nga institucionet shtetërore të Serbisë.

Më pas, ministri Maqedonci e njoftoi znj. Kearns për situatën aktuale dhe rrezikun që paraqet militarizimi i vijës kufitare nga ana e Serbisë si dhe mbështetja e aktiviteteve të grupeve terroriste nga ana e institucioneve të sigurisë të Republikës së Serbisë.

Në fund, diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në fushën e mbrojtjes në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës.

Në këtë takim, Kearns u zotua se do të rrisë maksimalisht angazhimin dhe do të shfrytëzojë ndikimin e saj për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes.