Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Millorad Gjokoviqin për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me burgim prej 10 viteve.
Vendimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Donika Shala-Abdyli.
“Gjykata shpall këtë aktgjykim: Në emër të popullit, i akuzuari Milorad Gjokoviq shpallet fajtor, sepse në periudhën e luftës në Kosovë, më 7 maj 1999, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës, i akuzuari, në cilësinë e policit rezervë, me persona të tjerë, i ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Gjykata, në bazë të dispozitave të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, të akuzuarin e dënon me 10 vjet burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit”, tha ajo.
Trupi gjykues më 27 korrik të këtij viti kishte rihapur shqyrtimin gjyqësor në këtë rast penal, pasi në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ishte gjetur deklarata e dëshmitares Nurije Krasniqi, të cilën ajo kishte thënë se e kishte dhënë në polici pas përfundimit të luftës.
Kryetarja e trupit gjykues, Donika Shala-Abdyli, kishte deklaruar atëkohë se gjykata kishte vlerësuar se ende nuk ishin shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove.
Nurije Krasniqi kishte bërë të ditur gjatë dëshmisë së saj se pas luftës kishte dhënë deklaratë për rastin në polici, por nuk kishte mundur ta kujtonte datën e saktë kur e kishte dhënë atë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohej se gjatë viteve 1998-1999, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatrat përreth, kishte kryer veprime kundër popullsisë civile shqiptare, përfshirë vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, torturë, trajtim mizor dhe çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të dhjetëra civilëve.
Ai akuzohej gjithashtu për plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile shqiptare.
Në aktakuzë thuhet se nga pjesa veriore e fshatit Ozdrim, përmes rrugës rajonale Pejë–Mitrovicë, kishin hyrë forcat e rregullta ushtarake serbe, ndërsa nga pjesa perëndimore e fshatit, në kufi me Vitomiricën, kishin hyrë grupe paramilitare, të përziera edhe me pjesëtarë të njësive speciale ushtarake.
Sipas Prokurorisë, ata kishin filluar të qëllonin me armë në drejtim të popullsisë civile, me ç’rast ishin vrarë gjashtë civilë shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.
Në aktakuzë thuhet se tre civilë të tjerë, A.G., H.G. dhe M.G., të plagosur nga të shtënat, fillimisht ishin transportuar në Spitalin e Pejës, por më pas ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë.
Po ashtu, pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk ishin gjetur dhe ata vazhdonin të figuronin si persona të zhdukur.






