Miliona euro po tërhiqen nga buxhetet e komunave për zbatimin e kontratës kolektive. Pasojat më së shumti po ndihen te investimet kapitale, ndërsa komunat thonë se kjo po pengon realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve. Vetëm Fushë-Kosovës i janë tërhequr rreth 1.9 milion euro gjatë vitit 2025, ndërsa këtë vit mbi 357 mijë euro, derisa asaj të Lipjanit i janë marrë nmbi 4 milionë euro nga përmbaruesi nëpërmjet vendimeve gjyqësore.
Shumë komuna po përballen me vështirësi financiare, për shkak të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore që lidhen me kontratën kolektive. Miliona euro u janë tërhequr nga buxhetet e komunave, duke ndikuar në mosrealizimin e projekteve kapitale dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Komuna e Fushë-Kosovës është njëra prej tyre. Vetëm gjatë vitit 2025, nga buxheti i saj janë tërhequr rreth 2 milionë euro nëpërmjet vendimeve gjyqësore.
“Gjatë vitit 2025, për kategori të ndryshme, por përsëri te kategoria e investimeve kapitale, janë tërhequr me vendime gjyqësore një shumë prej 1 milion e 957 mijë eurosh, nëpër projekte të ndryshme kapitale. Për vitin 2026, prej janarit deri më sot, me vendime gjyqësore, nga Thesari janë tërhequr 357 mijë e 900 euro. Në mesin e tyre ka edhe projekte kapitale”, Bardhyl Koiçiçi, drejtor për Buxhet dhe Financa, Fushë-Kosovë.
Por, Fushë-Kosova nuk është komuna e vetme që po përballet me këtë problem. Edhe asaj të Lipjanit i janë tërhequr mbi 4 milionë e 300 mijë euro.
“Kjo çështje paraqet një sfidë për komunat. Detyrimet ndaj kontratave kolektive kanë ndikuar drejtpërdrejt në kapacitetin financiar të komunës dhe, rrjedhimisht, në mundësinë për realizimin e projekteve të reja në shërbim të qytetarëve”, Besarta Qadraku, zëdhënëse e Komunës së Lipjanit.
Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, zbatimi i kontratës kolektive ndër vite u ka kushtuar komunave qindra miliona euro. Drejtori ekzekutiv, Sazan Ibrahimi, thotë se pjesa më e madhe e mjeteve është tërhequr nga kategoria e investimeve kapitale.
Sipas Ibrahimit, komunat u janë drejtuar gjykatave me kërkesën që mjetet t’u kthehen dhe të mund të përdoren për realizimin e projekteve kapitale.
Drejtues të komunave thonë se edhe gjatë këtij viti mund të ketë tërheqje të mjeteve nga kategoria e investimeve kapitale. Sipas tyre, në pritje të vendimeve gjyqësore janë edhe mjete nga sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. /RTK/






