Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për pabarazinë ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, si dhe për pagat e ulëta dhe migrimin e qytetarëve nga Kosova.
Në një postim në Facebook, Miftaraj ka kritikuar Kurtin, duke thënë se ky i fundit fajin për migrimin e qytetarëve ia ka atribuuar komunave, për shkak të gjendjes në arsim, si dhe sistemit të drejtësisë.
Megjithatë, Miftaraj ka bërë një krahasim mes gjendjes së qytetarëve që largohen nga Kosova dhe asaj të personave të afërt me Kurtin, duke përmendur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Albin Kurti po flet për pabarazi në mes sektorit publik e privat. Po ankohet për paga të ulëta në sektorin privat. Faji kryesor që çdo vit po migrojnë me dhjetëra mijëra qytetarë, po thotë janë komunat, sepse arsimi në komuna katastrofal. Po ashtu, sipas tij, edhe Pallati i Drejtësisë dhe drejtësia po e detyrojnë popullin me ikë nga Kosova”, ka shkruar Miftaraj.
Ai ka thënë se, pavarësisht vështirësive me të cilat përballen qytetarët dhe largimit të tyre drejt vendeve perëndimore, kjo nuk vlen edhe për njerëzit e afërt të kryeministrit.
“Sidoqoftë, përderisa populli po vuan dhe po ikë në Perëndim me gjetë lumturinë dhe fatin për vete dhe familjen e tyre, kjo nuk po ndodh edhe me njerëzit e afërt të Kurtit”, ka shkruar ai.
Miftaraj ka përmendur rastin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për të cilën ka pretenduar se ka blerë një banesë në lagjen Dragodan të Prishtinës, me sipërfaqe prej 128 metrash katrorë, për 128 mijë euro.
“Albulena Haxhiu me pagën modeste nga buxheti i shtetit, ndër më të varfrit në Evropë, normal lumturinë po e gjen në Kosovë dhe po blen edhe banesë me super çmim prej 128 mijë euro për 128m² në Dragodan, Prishtinë”, ka shkruar Miftaraj.
Ai ka përmendur edhe ish-ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke pretenduar se edhe ajo ka blerë shtëpi në lagjen Sofali të Prishtinës.
“Njëjtë edhe Arbërie Nagavci, e cila njëjtë me një pagë modeste blen shtëpi me super çmim në lagjen e bukur Sofali të Prishtinës”, ka shkruar Miftaraj.
Drejtori i IKD-së ka përmbledhur kritikat e tij ndaj dallimeve që, sipas tij, ekzistojnë mes qytetarëve dhe personave të afërt me pushtetin.
“Në Republikën e Albinit, qytetari fukara punën dhe lumturinë e gjen jashtë Kosovës, e politikani apo dostat e afërt me Albinin, lumturinë dhe pasurinë e gjejnë në Kosovë. Me rëndësi sot nuk u ndal rryma, e për nesër nuk dihet”, shtoi Miftaraj.






