Miftaraj: Nëse deri më 4 tetor s’kemi president, më 5 tetor pushon së ekzistuari Kushtetuta 

- Advertisement -

Ehat Miftaraj nga IKD ka ngritur shqetësime për situatën institucionale në Kosovë, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse deri më 4 tetor nuk zgjidhet presidenti i ri i vendit.

I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Miftaraj tha se Kosova mund të mbetet pa president, çka sipas tij do të krijonte një situatë të paprecedentë institucionale.

“Me 4 tetor bëhen gjashtë muaj që kemi ushtrues të detyrës së presidentit të Republikës. Më 5 tetor, Republika e Kosovës, për herë të parë në histori prej që kemi shpallur pavarësinë në vitin 2008, nuk ka me pas fare president, nëse nuk zgjidhet presidenti nga kjo legjislaturë”, deklaroi Miftaraj.

Ai theksoi se mungesa e presidentit do të prekte drejtpërdrejt funksionimin e institucioneve të shtetit, duke përmendur edhe pamundësinë për shpalljen e zgjedhjeve.

Miftaraj e përshkroi situatën si një krizë të rëndë kushtetuese, duke paralajmëruar se vendi mund të hyjë në një gjendje jashtë rendit aktual kushtetues.

“Nëse me 4 tetor të këtij viti nuk kemi president nga kjo legjislaturë, me 5 tetor pushon së ekzistuari Kushtetuta, në kuptimin që, më nuk ke president, nuk ka më zgjedhje kushtetuese, s’ka më me respektu Kushtetutën. Je jashtë Kushtetutës. Je në anarki”, u shpreh Miftaraj.

Të ngjashme

Të fundit