Ata kanë bërë me dije se në aspektin diplomatik shefi i ekzekutivit kosovar është trajtuar në mënyrë i zbehtë.
Sipas tyre, kjo gjë ka ndodhur për shkak të ftohjes se raporteve të Kurtit me ShBA-të.
Ata kanë theksuar se për këtë fakt nuk ka ndodhur edhe takimi i Kurtit me presidentin e Ukrainës, Vladimir Zelenski, i cili është takuar me presidentin serb.
Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka vlerësuar se Kurti gjatë vizitës në Athinë është nënçmuar nga mysafirët tjerë.
“Trajtimi i zbehtë diplomatik që iu bë Kosovës në Athinë, dhe nënçmimi që iu bë Shqipërisë për të njëjtën ngjarje, dëshmon që shqiptarët në rajon dhe në Evropë – do të faktorizohen e trajtohen me respekt vetëm kur janë të bashkërenduar, e asnjëherë të përçarë siç janë sot!”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Ajo ka treguar se kulmi ishte deklarimi i Aleksander Vuçiqit se Ukraina dhe Greqia ia kanë rikofimuar se nuk do ta njohin Kosovën.
“Dështimi flagrant i Kosovës në Athinë – me deklaratë poshtëruese të Vuçiqit për rikonfirmim të mosnjohjes së Kosovës nga Ukraina e Greqia (pa mohim nga ana e tyre) është mësim me pasoja afatgjata se diplomacia kosovare pa SHBA-në është si njeriu pa oksigjen, dhe angazhimi i Kosovës në dialog të ndërmjetësuar nga BE (në rrethanat aktuale mosnjohëse) është kundërproduktiv dhe humbje kohe”, ka shkruar ajo.
Edhe Agon Maliqi ka thënë se kryeministrit Albin Kurti duhet të nxjerr mësime nga kjo vizitë.
Sipas tij, Kurti duhet të kuptojë se pa mbështetjen e SHBA-së nuk mund të realizojë as takime të rëndësishme.
“Po dëgjoj ankesa pse Zelensky e ka injoruar Kosovën në Athinë, ndërkohë që mbajti takim bilateral me Serbinë. Një takim i tillë do të ishte fare lehtë i realizueshëm me ndihmën e SHBA. Por ja që në këtë pozitë të qyqanit në marrëdhënie ndërkombëtare përfundon kur sillesh si kauboj dhe e humb kapitalin politik që t’i kërkosh ndihmë SHBA-së apo kujtdo me peshë brenda BE.” – ka shkruar Maliqi në profilin e tij në “Facebook”.
Shumicën e njohjeve i ka sjell ShBA-ja
Më i ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti është shprehur analisti Shenoll Muharremi.
Ai ka bërë me dije se mos realizimi i një takimi me presidentin Ukrainas ishte një shuplakë për kryeministrin Kurti.
Në profilin e tij në “Facebook”, Muharremi ka shkruar
“Çka na ndodhi ashtu me Ukrainë! Pa, pa, pa. Kryeministri ja japi dorën disa sekonda menzi. U ngut e bani shumë të madhe.. video e filma inçizoj. Ma vonë Vućiqi e takoj një takim përmbajtësor edhe lëshuan deklarata: “Nuk pranojmë me ndryshu kufinjët ekzistues”. Pasi që Ukraina e njef Serbinë e jo Kosovën, ishte thikë pas shpine për ne. Se mundet me u kuptu sikurse e njofin Serbinë me Kosovë pjesë të saj. A ka mësuar diçka kryeministri? Pa përkrahjen e SHBA-së, Kosova në diplomaci është një hiç. Shumicën absolute të njohjeve kualitative i ka sjellë shërbimi diplomatik i SHBA-së. E pasi që i quajtëm ‘naiv’ e i ndjekem e i bëmë miq me armiqtë tanë, tani e shofim çka dmth me qenë vetëm. Në fund të tavolinës së takimeve e kishin ulur, e Vućiqin në qendër”, ka shkruar Muharremi në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, Kurti duhet të ndryshojë qasjen e tij.
“Me mendësi politike “unë kam të drejtë”, qafën e then në diplomaci. Aty ka vetëm kryesisht interese. Shqiptarët me mendësinë e Albin Kurtit (me kobure në Athinë) kanë mbetë 600 vjet robër. E nëse nuk ndryshojmë këtë drejtim, kthehemi si kemi qenë në histori. Këto 25 vite (1999-2024) njifen si një ‘incident’ në histori. Kështuqë kfilluni pak”, ka shkruar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis të hënën dhe të martën ka qëndruar në Athinë për të marrë pjesë në darkën me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe për t’u takuar e bashkëbiseduar me homologë e partnerë edhe përtej Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në shtetit grek, ai ka zhvilluar disa takime me liderë të vendeve të rajonit dhe përfaqesues të BE-së.
“Para e pas saj, përgjatë dy ditëve zhvillova takime dypalëshe me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ndërkohë që në pritje të darkës u përshëndeta me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy dhe bashkëbisedova me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel”, ka shkruar Kurtin në profilin e tij në “Facebook”.