Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt ka njoftuar se një qytetare e ka gjetur një protofol me para dhe të njëjtën e ka dorëzuar në organet e rendit.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur sot, rreth orës 16:55, me ç’rast qytetarja me inicialet A. Mehmeti, 43-vjeçare, mësimdhënëse nga Ferizaj, ka treguar një shembull të lartë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare. Ajo ka gjetur një portofol me një shumë të caktuar parash në afërsi të rrugës “Agim Matoshi” në Ferizaj.
Menjëherë pas gjetjes, ajo i ka dorëzuar portofolin me paratë në stacionin policor në Ferizaj.
“Meqenëse pronari i portofolit ende nuk ishte identifikuar, hetuesit e stacionit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes për verifikimin e kamerave të sigurisë në atë zonë. Më pas, në stacionin policor është paraqitur qytetarja me inicialet L.K. (22-vjeçare) nga Ferizaj, me banim të përkohshëm në Gjermani, e cila ka raportuar humbjen e portofolit. Pas verifikimeve të kryera nga ana e policisë, pronares së ligjshme i janë kthyer portofoli dhe paratë; 2030.85 euro”, thuhet në njoftim






