Ish- kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se bashkë me Abelardin ka zhvilluar takime të ndara dhe ka vizituar sërish ish-presidentin Hashim Thaçi. Ai tha se vizita është bërë për të qenë pranë tij dhe bashkëluftëtarëve në këtë fazë finale të procesit.
Sipas Krasniqit, Thaçi mbetet i qetë, optimist dhe besimplotë në drejtësi, duke shprehur bindjen se shumë shpejt do të rikthehet në mesin e qytetarëve të Kosovës. Ai theksoi se mesazhi i vizitës ishte mbështetja dhe solidariteti, duke përcjellë edhe porosinë e Thaçit: “Besoni në Kosovë!”.
Postimi i plotê:
Bashkë me Abelardin, në takime të ndara, sot ishim edhe një herë në vizitë te Presidenti Thaçi.
Për të qenë pranë tij dhe shokëve të tij edhe në këtë fazë finale të procesit dhe, aq sa mundemi, për ta ndarë sadopak me ta këtë rrugëtim të gjatë sfidash dhe padrejtësish.
Dhe për t’u thënë: nuk jeni dhe nuk do të jeni kurrë vetëm!
Ato që mbeten gjithmonë të njëjta janë forca, qetësia dhe optimizmi i Presidentit Thaçi dhe i çlirimtarëve tanë.
Si në vizitën e parë, edhe sot ai mbetet i palëkundur, besimplotë në drejtësi dhe me bindjen se shumë shpejt, tashmë çështje ditësh, do të jetë sërish në mesin e qytetarëve të Kosovës.
Ka momente kur qëndresa shndërrohet në frymëzim, e ky është padyshim një prej tyre.
Nga Presidenti keni të fala dhe një porosi: Besoni në Kosovë!






