Publicisti, Kim Mehmeti ka deklaruar se situata politike dhe shoqërore në Maqedoninë e Veriut i ngjan asaj të Serbisë gjatë kohës së Slobodan Millosheviqit, duke theksuar se sot ajo funksionon “me më shumë Rrahman Morina”.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Mehmeti ka kritikuar mënyrën se si trajtohen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se atyre u kërkohet t’i kushtohen mësimit të gjuhës maqedonase në vend të gjuhës amtare.
Ai gjithashtu ka përmendur çështjen e simboleve shtetërore dhe himnit, duke e cilësuar atë si etnik dhe jo gjithëpërfshirës.
Sipas tij, përmes këtyre elementeve u kërkohet qytetarëve respekt ndaj shtetit, ndërkohë që, siç shprehet ai, nuk trajtohet në mënyrë të drejtë çështja e të drejtave të komuniteteve.
“Maqedonia e sotme shumëkujt ia rikujton Serbinë e kohëve të Millosheviqit. Si e tillë, ajo kërkon nga shqiptarët – vetëm pse jetojnë në Maqedoninë e Veriut – t’i përkushtohen mësimit të gjuhës maqedonase e jo asaj amtare. Po ashtu, ua rikujton që t’i respektojnë simbolet e shtetit, edhe pse, për shembull, ka himn që nuk është shtetëror, por etnik; himn që i fton maqedonasit të zgjohen dhe ta vazhdojnë luftën për të drejta dhe liri?! Natyrisht, pa treguar se kush e ka robëruar Maqedoninë e Veriut dhe nga kush duhet çliruar ajo – mos vallë nga jomaqedonasit, të cilët përbëjnë thuajse shumicën e popullsisë?”, ka shkruar Mehmeti.
Në fund të reagimit të tij, Mehmeti ka bërë një krahasim politik, duke thënë se ndryshe nga periudha e Millosheviqit, ku sipas tij kishte vetëm një “Rrahman Morina”, sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut është “i rrethuar nga shumë Morina të VLEN-it”.






