Publicisti Kim Mehmeti ka kritikuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti për mospërkrahje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të cilët prej kohësh po protestojnë duke kërkuar që provimin e Jurispodencës ta mbajnë në gjuhën shqipe.
Mehmeti ka thënë se kjo është hera e parë që Qeveria e Kosovës nuk i përkrahë studentët dhe përkrah një Qeveri tjetër.
Ai në emisionin “Këndi i Kimit” në Tëvë1 ka thënë se Kurti me këtë dëshiron tu lë përshtypje ndërkombëtarëve
“Së pari herë në historinë shqiptare ndodh, që Qeveria e Kosovës të mos i përkrah studentët por ta përkrah qeverinë anti-shqiptare. Por, unë nuk i thamë se është me Serbinë, e di pse e bënë. Në fatkeqësinë e shqiptarëve të Maqedonisë, donë ta ndërtojë të mirën e vet para ndërkombëtarëve. Do tu lë përshtypje atyre që është i mirë. Prishtina ka qenë ajo kupola e madhe që gjithmonë ka qenë pro shqiptarëve, na mbronte neve kur nuk na i lejonin emrat t’i vëmë”, është shprehur Mehmeti.
Studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut prej muajsh po protestojnë me kërkesën që provimin e Jurispodencës ta mbajnë në gjuhën shqipe.
Javë më parë ata organizuan një protestë në Maqedoninë e Veriut e cila u mbështetë edhe nga studentët nga Kosova dhe Shqipëria. Protesta është mbështetur nga partitë opozitare në Kosovë.






