Publicisti Kim Mehmeti ka kritikuar situatën aktuale politike në Kosovë, duke thënë se vendi po përballet me një krizë institucionale si pasojë e përplasjeve ndërmjet partive politike.
Në emisionin “Këndi i Kimit” në Tëvë1, Mehmeti ka deklaruar se partitë politike, sipas tij, shpeshherë e barazojnë fatin e tyre politik me fatin e Kosovës dhe interesin partiak e vendosin mbi atë shtetëror.
“Kosova është kapur peng nga grindjet ndërpartiake dhe nga problemet që i kanë partitë, të cilat e barazojnë fatin e vet me fatin e Kosovës. Ose, aq më keq, fatin e partisë së tyre e vendosin mbi fatin e Kosovës. Ky është problem i madh. Këtë e kemi edhe te PDK-ja, edhe te LDK-ja, ndërsa më pak të theksuar te VV-ja, jo se nuk e ka këtë problem, por sepse është më e konsoliduar dhe sillet më komode”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka folur edhe për gjendjen brenda partive opozitare, duke thënë se PDK-së, sipas tij, i mungon një lidership i plotë për shkak të situatës me liderët e saj që ndodhen në Hagë.
“PDK-ja tash pret që t’i kthehen liderët e saj që i ka në Hagë. Nuk ka liderin e vet dhe i mungon lideri. Tash çfarë thotë Kosova, mund edhe të mos zhbllokohet deri sa të vijnë ata”, është shprehur Mehmeti.
Sa i përket LDK-së, Mehmeti ka thënë se kjo parti ende përballet me sfida të brendshme, duke e cilësuar atë si një subjekt që, sipas tij, nuk ka arritur të konsolidohet plotësisht si parti politike.
“LDK-ja është një ish-lëvizje që kurrë nuk u bë parti dhe tani, kur u bë parti, ajo është vetëm duke i realizuar ambiciet e individëve që e kanë në dorë”, ka deklaruar ai.
Në fund, Mehmeti ka kritikuar partitë politike duke thënë se ato nuk kanë programe të qarta për shtetin, por fokusohen më shumë në çështje të brendshme politike.
“Këto nuk janë parti, këto nuk kanë asnjë shenjë se janë parti, ku fatin e partisë e vënë përpara fatit të vendit. Një parti ka program të qartë për shtetin, jo për vetveten. Këta kanë program për vetveten, se kush do të bëhet president e kush do të marrë pozita të tjera”, ka përfunduar Mehmeti.






