Kryetari i LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, i cili është sulmuar sot nga Sami Lushtaku, kohëve të fundit e kishte ashpërsuar gjuhën ndaj kryetarit të Komunës së Skenderajt.
Jo rrallë ai tallej dhe e fyente ish-komandantin e UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës.
Mehana, i cili së fundi është caktuar zëvendësministër i Financave nga Albin Kurti, të parin e Skenderajt e kishte quajtur “Sami Serbia”.
“Sami Serbia po na prish me Amerikën, duke i mshelë strukturat paralele pakoordim me miqtë tanë amerikane. Rrnoftë Amerika dhe miqtë tanë, poshtë Sami Serbia”, kishte shkruar ai në profilin e tij në Facebook më 10 prill, shkruan Nacionale.
Pas reagimeve të shumta për këtë gjuhë fyese, ai kishte shkruar një status tjetër, duke pretenduar se kishte ironizuar me këtë epitet.
“Nuk është se mediet nuk e kanë kuptuar ironinë e postimit tim, ku unë bëj hajgare me akuzat që ia bënte opozita dhe disa “analistë” KM Kurti se po na prishte me Amerikën dhe miqtë tanë ndërkombëtarë kur po mbyllte strukturat paralele. Zyra për informim e Sami Lushtakut, duke e filluar këtë valle, po dëshiron me e paraqitë Sami Lushtakun si viktimë, siç po viktimizohet edhe Hysni Gucati që disa postime. Por edhe të barazojë gjuhen time me gjuhën vullgare të Sami Lushtakut. Punë që s’bëhet! Duke e viktimizuar Sami Lushtakun, zyra për informim e tij po tenton me e barazu një ironi timen me deklaratat skandaloze të Sami Lushtakut, i cili qeverinë aktuale e barazonte me regjimin e Millosheviqit”, kishte shkruar ai, duke e akuzuar Lushtakun për lidhje me serbët në veri.
“Për fund, postimit që i janë referuar mediet ka qenë ironi dhe është nxjerr për qëllimet që thashë më lart nga konteksti; poooooor, që Sami Lushtaku i ka çu dostat në veri me kurdisë tendera me Jabllanoviqët, nuk ka asnjë dyshim, për këtë ka edhe vendime gjyqësore”, kishte shkruar ai.
Vetë Lushtaku në reagimin e tij pas kësaj ngjarje e kishte përmendur se ky provokim si “Sami Serbia” ishte arsyeja e reagimit në këtë mënyrë.







