Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha se vendi i tij është duke u përgatitur për një kundërofensivë të Ukrainës, pasi Kievi ka pretenduar se forcave ruse u ka humbur entuziazmi.
“Ata (ukrainasit) janë duke u përgatitur për një ofensivë, secili e di atë. Shtabi ynë i përgjithshëm është duke e përllogaritur këtë dhe po i bën gati zgjidhjet e tij”- tha Medvedevi të premten në një intervistë për mediet shtetërore ruse.
Tash zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë në Rusi, ish-presidenti rus paralajmëroi se Moska është e gatshme që të përdorë “absolutisht çfarëdo arme”, nëse Ukraina bën përpjekje që ta rimarrë Krimenë, gadishull i aneksuar nga Rusia më 2014, raporton gazeta “The Guardian”.
Kërcënimi më i ri i Medvedevit për përdorimin e armëve bërthamore erdhi pas pranimit në rritje në Moskë se forcat e saj mund ta shohin së shpejti veten duke u mbrojtur në Ukrainë, pasi ofensiva dimërore duket se po ngadalësohet.
Në një intervistë të publikuar në rrjetet e tij sociale të enjten, shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, paralajmëroi se Ukraina është duke planifikuar që t’i rrethojë forcat e këtij grupi në Bakhmut dhe të lëvizë përpara drejt Detit të Zi, në rajonin e pushtuar pjesërisht, Zaporizhia.
Ai pretendoi se Ukraina ka grumbulluar më shumë se 80 mijë ushtarë përreth qytetit që është nën kontrollin e ukrainasve.
Zyrtarët perëndimorë për një kohë të gjatë kanë paralajmëruar se Bakhmuti është buzë rënies në duart e rusëve. Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ushtria e Ukrainës do ta vazhdojë mbrojtjen e Bakhmutit, i cili është bërë simboli i fuqishëm i rezistencës ukrainase.
Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, pretendoi të enjten se rusët janë duke humbur forca të konsiderueshme dhe po mbeten pa energji.