Mediat njoftojnë largimin pas 7 shkurtit të shefit të Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë

Ron Klain, i cili shërben si shef i kabinetit i Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, planifikon të largohet nga detyra në javët e ardhshme. Lajmi u bë i ditur për mediat amerikane të shtunën, nga burime në dijeni të kësaj çështjeje.

Zoti Klain ka informuar Presidentin Biden mbi planet e tij, thanë të njëjtat burime, duke konfirmuar edhe një artikull të gazetës ‘New York Times’ që konfirmonte largimin e tij pas fjalimit të presidentit mbi gjendjen e vendit, që mbahet më 7 shkurt.

Gjashtëdhjetë e një vjeçari Ron Klain ka një histori të gjatë pune në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka shërbyer edhe si shef i kabinetit i ish-nënpresidentit Al Gore dhe zotit Biden, kur ky i fundit shërbente si nënpresident gjatë administratës Obama.

Largimi i tij vjen ndërsa Presidenti Biden përgatitet të shpallë ambiciet e tij për të kërkuar një mandat të dytë katërvjeçar në vitin 2024, njoftim që pritet ta bëjë pas fjalimit të tij në Kongres, mbi gjendjen e kombit.

Gazeta ‘New York Times” citonte një listë të gjatë që mund të zëvendësojnë zotit Klain në detyrë, si sekretari i Punës Marty Walsh; ish-guvernatori i Dellauerit Jack Markell; këshilltarja e lartë e zotit Biden, Anita Dunn, këshilltari i presidentit, Steve Richetti, ish-koordinatori për Çështje të Pandemisë Jeff Zients, këshilltarja për politikën e Brendshme Susan Rice, si dhe sekretari për Bujqësinë Tom Vilsack.

Lajmi i largimit të zotit Klain bëhet publik ndërsa presidenti Biden ndodhet për të kaluar fundjavën në shtëpinë e tij në Rehoboth Beach të Dellauerit./voa/