Është vizita e parë që presidenti amerikan Donald Trump e realizoi jashtë Shtëpisë së Bardhë, prejse u kthye në këtë shtëpi, më 20 janar.
Me vete, në Kaliforni, pos gruas, mori edhe një prej miqve më të besueshëm të tij, Richard Grenell.
Ish-emisarin për bisedimet Kosovë-Serbi e çoi në qiell, duke thënë se është njeri fantastik,
Madje, kur Trumpit iu kërkua ta caktojë një emisar special që do të mbikëqyrte ndihmat e qeverisë amerikane për sanimin e dëmeve nga zjarret tragjike të Kalifornisë, ai e përmendi pikërisht Grenellin, si shumë kompetent për këtë pozitë.
“Ky këtu është i mirë për këtë punë… Rik Grenell ka qenë fantastik, ai jeton këtu. Rik do të ishte dikush që unë do ta konsideroja, pa asnjë mëdyshje për këtë pozitë”, u shpreh Trump.
Ai e lëvdoi shumë Grenellin edhe për punën që kishte bërë si ambasador i Amerikës në Gjermani.
“Dita më e lumtur e Angela Merkelit në historinë e saj, ka qenë kur e kam tërhequr këtë, Rik Grenellin si ambasador nga Gjermania, për ta vendosur në krye të inteligjencës amerikane dhe njerëzve inteligjentë, të cilët, në fakt, nuk mund ta mashtronin atë”, potencoi presidenti amerikan.
Gjithë këto lavde, por edhe fakti se Trump e mori atë me vete në përpjekje për ta menaxhuar krizën më të rëndë të momentit në Amerikë – zjarret në Kaliforni – demantojnë disa politikanë qeveritarë në Kosovë, dhe gazetarë të afërt me ta, si puna e Vudi Xhymshitit, që pretenduan se Grenelli nuk ka certifikatë të sigurisë. Kjo gjë, sipas këtij të fundit, ia pamundësoi ish-emisarit të merret në konsiderim si një nga emrat e mundshëm për Sekretar Shteti.
Xhymshiti e kishte quajtur Grenellin edhe një lobues amerikan proserb. Gazetari, që jeton në Britani, por që me punën dhe shkrimet e tij anon dhe mbështet partinë në pushtet dhe qeverinë Kurti në Prishtinë, e kishte akuzuar për lidhje me Beogradin edhe emisarin tjetër amerikan për Ballkanin dhe dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar. Këtë lajm të tij të rremë e kishte demantuar, sipas revistës Sbunker, edhe departamenti amerikan i shtetit.
Grenell, të cilin deputeti i Vetëvendosjes Dimal Basha e pati quajtur palaço, ishte zyrtari që aranzhoi marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, e cila i solli njohjen e fundit dhe ndër më domethënëset për shtetësinë e Kosovës, atë nga Izraeli, të cilën e sponsori vetë presidenti Trump, derisa në zyrën e tij ovale kishte kryeministrin e atëhershëm, Avdullah Hoti. /Klankosova.tv