Me thirrjet “UÇK, UÇK”: Mbahet marshi protestues në Zarë të Kroacisë, kërkohet drejtësi

- Advertisement -

Me thirrjet “UÇK, UÇK”, ka filluar marshi protestues në Zarë të Kroacisë, ku qindra shqiptarë janë mbledhur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.

Qytetarët po mbajnë flamuj kuq e zi dhe të UÇK-së.

Para protestuesve ka folur kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Ngucati, ka kërkuar drejtësi për çlirimtarët.

Edhe protestuesit  kanë thirrur drejtësi.

Lidhur me këtë ngjarje ka folur kreu i OVL-UÇK-së Hysni Gucati, i cili dha detaje.

Gucati tha në Info Magazine të Klan Kosovës, se po kërkojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që gjendet në burg nga dokumentacioni dhe dëshmitarët e fabrikuar nga Serbia.

“Jemi dëshmitarë që Gjykata Speciale ka bashkëpunuar me Gjykatën serbe apo me një prokuror të shtetit famëkeq të Serbisë, me Vukçeviqin”, deklaroi Gucati.

Ai tha se “nga Specialja nuk duan asgjë më shumë se drejtësi”.

“Me numër fiks nuk guxoj të shkojë, sepse duhet t’i numërojmë kokë më kokë. Unë shpresoj dhe dua të besoj se do ta kalojmë numrin prej 3 mijë qytetarësh, bashkatdhetarësh dhe njerëzish që kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Presheva, por edhe nga vende të tjera. Besoj se do ta kalojmë shifrën prej mbi 3 mijë pjesëmarrësish, edhe pse është vapë e madhe dhe temperatura është shumë e lartë në Zarë, por shpresoj se numri do të jetë mbi 3 mijë veta”, tha ai.

Sipas Gucatit, pjesëmarrja e familjeve ka një rëndësi të veçantë, pasi, siç tha ai, fëmijët po njihen me figurat e ish-krerëve të UÇK-së.

“Njerëzit kanë filluar të grumbullohen dhe të parkohen pranë vendit ku do të mbahet protesta.Më ka bërë shumë përshtypje që kanë ardhur shumë familje. Është hera e parë që shoh kaq shumë shqiptarë me familje dhe me fëmijë të vegjël në një protestë. Kjo më ka befasuar pozitivisht. Ata po mbështesin një protestë paqësore, një protestë të drejtë për lirinë e çlirimtarëve”, deklaroi ai.

Kreu i OVL-UÇK-së gjithashtu u shpreh se protesta po bëhet për një të drejtë, që siç u shpreh ai, na takon.

“Më vjen mirë që këto familje ua kanë treguar edhe fëmijëve të tyre se kush janë çlirimtarët, kush janë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe të tjerët. Kjo më ka gëzuar shumë, që anëtarët e familjeve kanë marrë edhe fëmijët e tyre për t’u treguar se ne po protestojmë për një të drejtë që na takon”, tha Gucati.

Kjo protestë është e 6-ta në mbështetje të ish-katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Vendimi ndaj tyre sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të merret më 16 shtator.

Seanca e shpalljes së aktgjykimit pritet të nisë nga ora 10:00.

Të ngjashme

Të fundit