Lajme

MD shton të dhëna në dosjet e personave ndaj të cilëve ekzekutohen sanksione penale

By GAZETA SCANNER 1

October 29, 2023

Gjithë personat ndaj të cilëve ekzekutohen sanksione penale, kanë dosje penale.

Mirëpo, përmes një udhëzimi administrativ, Ministria e Drejtësisë, po synon shtimin e pikave në përmbajtje të dosjes.

Që nga qasja në të dhënat në dosjen e të burgosurve; konfidencialiteti për përpunimin e të dhënave; pjesa për ankesa dhe kërkesa; e deri tek shtimi i të dhënave për lirim të të burgosurit.

Tek kjo e fundit janë renditur pikat përbërëse që do t’i shtohen dosjeve penale.

“Raporti përmbledhës për lirim me kusht, lirim të parakohshëm, falje të presidentit dhe pezullim të sanksionit penal; Aktvendimet për lirim me kusht dhe lirim të parakohshëm, dekretet për falje të dënimit; Aktvendimet për ndërprerje të paraburgimit apo dënimit; Vendimet e transfereve; Vendimi nga Institucioni për lirim të rregullt; Fletëlëshimi nga Institucioni për lirim të rregullt; Korrespodenca në mes institucioneve për lirim me kusht lirim të parakohshëm, falje apo pezullim të dënimit; Çështje tjera të natyrës së ngjashme”, thuhet në udhëzimin administrativ.

Pavarësisht se e vlerëson vetëm si kompletim të legjislativit, avokati Qëndrim Arifi thekson rëndësinë historikut të një të dënuari.

Si të nevojshme e sheh avokati Asdren Bytyqi, sipas të cilit me këtë krijohen lehtësira procedurale edhe në sistemin gjyqësor, përpos atij korrektues.

Aktualisht në fuqi është një udhëzim tjetër administrativ pët këtë çështje që nga viti 2015.