Këshilli i Sigurisë së Kosovës sot pati takim në të cilin u diskutua dhe raportua gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend.
Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, theks të veçantë kishin planet destabilzuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë në çështjet e sigurisë së Kosovës, me ç’rast përmendet arrestimi i katër pelegrinëve serbë në Gjakovë.
”Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje sot me kërkesë të Kryeministrit të Republikës, Albin Kurti.
U raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë. Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje”.
Sipas kumtesës nga të arrestuarit njëri ishte toger i policisë së Serbisë, e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë.
”Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”.
Në takimin e Këshillit të Sigurisë u konstatua po ashtu se Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë.
”Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet që nxis tensione nëdretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë. Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”.