Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për emërimin e ekipeve të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit.
Sipas vendimit të KQZ-së, në këto qendra do të angazhohen 2,213 anëtarë, në kuadër të 508 ekipeve të numërimit, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike pjesëmarrëse në proces zgjedhor.
Ekipet e numërimit do të verifikojnë rezultatet subjekteve politike të evidentuar në formularë pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi tha se subjektet politike kanë dërguar për mbi 2 mijë anëtarë të cilët do jenë pjesë e numërimit të votave.
“E para ka të bëjë me shqyrtimin dhe emërimin e anëtarëve të ekipeve të numërimit në Qendrën Kombëtare të Numërimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 7 qershor. Bazuar në formulën e miratuar më parë nga KQZ-ja për ekipet e numërimit në QKN, subjektet politike kanë dërguar nominimet e anëtarëve të ekipeve të numërimit në Qendrën Kombëtare. Prandaj, bazuar edhe në listën që ka sjellë sekretariati, rekomandojmë emërimin e gjithsej 2213 anëtarëve, të cilët do të jenë pjesë e 508 ekipeve të numërimit në 38 qendra kombëtare të numërimit”, tha Krasniqi.
Po ashtu Krasniqi tha që kanë kërkuar nga subjektet politike që të mos dërgojnë emra të cilët kanë qenë të përfshirë në parregullsi zgjedhjet e fundit.
“Dua të theksoj këtu gjithashtu faktin që KQZ-ja, kur ka dërguar njoftimet për nominimet e anëtarëve të këshillave apo të ekipeve të numërimit në QKN, ka kërkuar nga subjektet politike që ato të mos dërgojnë emra të cilët kanë qenë të përfshirë në, të themi, parregullsitë që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve të fundit. Dhe për këtë mbajnë përgjegjësi në këtë rast subjektet politike, nëse në ndonjë prej rasteve ato kanë dërguar persona apo individë që kanë mundësi të jenë të përfshirë. Natyrisht, ne si anëtarë të KQZ-së, po edhe sekretariati gjithashtu, pra aq sa ka mundur ka qenë i përfshirë në mospërfshirjen e tyre, por se në fund përgjegjësia natyrisht do t’iu mbetet subjekteve politike mbi përbërjen e listës së këtyre trupave që do të merren me procesin e numërimit të votave apo fletëvotimeve për kandidatë”, tha Krasniqi






