Mbi një miliard euro për investime kapitale në vitin 2027, por shifrat e mëdha të buxhetit nuk kanë bindur opozitën se këtë herë projektet do të marrin rrugë drejt përfundimit. Ndërsa, Qeveria e paraqet këtë si një rekord në planifikimin e investimeve, LDK-ja dhe Aleanca vënë në pikëpyetje realizimin e tyre, duke përmendur projektet e zvarritura ndër vite dhe nivelin e ulët të shpenzimit të mjeteve kapitale. Edhe ekonomisti Fidan Qerimi vlerëson se problemi kryesor mbetet realizimi i projekteve dhe jo vetëm shuma e paraparë në buxhet.
Në një deklaratë për Ekonomia Online, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se shifrat e prezantuara po përsëriten nga viti në vit, ndërsa ka veçuar edhe ndarjen prej një milion eurosh për Unazën e Jashtme të Prishtinës.
“Gjatë gjithë qeverisjes së tij janë replikuar numrat. Çdo vit buxhetor kanë ardhur shifrat e njëjta, projektet janë të hapura, janë të iniciuara nga qeveritë e tjera. Nuk po flasim për asnjë projekt i cili identifikohet me investime kapitale të qeverisjes së tij. E më skandaloze që ishte, është qarkorja e Prishtinës me një milion euro”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka thënë se edhe projektet infrastrukturore në kryeqytet dhe rajonet e tjera po përballen me probleme të planifikimit dhe financimit, duke përmendur në veçanti Unazën e Jashtme të Prishtinës, e për të cilën thotë se kryetari Përparim Rama është angazhuar tash e një kohë.
“E cila është zhvilluar dhe është tash e 10 vite në proces në kuadër të angazhimeve të kryetarit të kryeqytetit, zotit Rama. Janë bërë të gjitha veprimet e domosdoshme që të trajtohet seriozisht ky projekt dhe të zhvillohet ky projekt. Po u pa që po vazhdon një lloj presioni përmes politikave të kufizimeve buxhetore edhe ndaj këtij rasti, ndaj investimeve kapitale, fatkeqësisht. Edhe çdo rajon pak a shumë e ka të njëjtin problem. Anamorava, nëse i lexon numrat e parë, ende flitet për autostradë në Gjilan, e cila ka mbetur shumë prapa. Nuk ka plan, nuk ka as pasqyrim real buxhetor, ose të flitet për rrugë rajonale, po ashtu kreditë e BERZH-it si institucion financiar që i ka fituar Kosova. Kemi një lloj avarie serioze të buxhetit nga kjo lloj qeverisjeje në Kosovë dhe është pa shpresë që do të realizohen, do të mbyllen këto projekte dhe do të hapen investime të tjera publike”, ka thënë ai.
I pyetur se cilat investime duhet të trajtohen me urgjencë gjatë vitit 2027, Haziri ka përmendur përfundimin e autostradave dhe lidhjen e rrugëve rajonale me to, si dhe projektet për trajtimin e ujërave të zeza.
“Natyrisht, me plan dinamik, me plan buxhetor, duhet të mbyllet çështja e autostradave të Gjilanit, e Pejës, e Podujevës. Duhet të integrohen rrugët rajonale në autostrada, sepse ka hyrje-dalje të qyteteve. Gjilani ka dështuar, projekti i BERZH-it si duket është në fazën e krizave, përderisa është dashur të mbyllen këto projekte, rrugët rajonale. Këto janë njëra prej projekteve. Trajtimi i ujërave të zeza, projektet e mëdha sistemore, impiantet dhe këto problemet e tjera. Dhe natyrisht programet e tjera të investimeve publike, sepse nuk kemi parë asnjë investim të filluar e mbaruar nga kjo Qeveri, fatkeqësisht. Edhe ky planifikim për vitin e ardhshëm është vetëm replikim i numrave, i projekteve dhe i premtimeve që nuk kanë as kohë, as periudhë kohore, as numra buxhetorë që premtojnë. Ne do ta trajtojmë, ne do ta diskutojmë, por ne po replikojmë me kërkesat e vazhdueshme në kuadër të seancave plenare”, ka deklaruar Haziri.
Kritika për projektbuxhetin e vitit 2027 ka pasur edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri.
Ai ka vënë në pikëpyetje kapacitetin e Qeverisë për realizimin e investimeve kapitale, duke thënë se shpenzimi i vetëm 35 deri në 40 për qind të mjeteve të parapara për këtë kategori ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kur një qeveri shpenzon prej 35 deri në 40 për qind të buxhetit të vet për investime kapitale, kjo tregon se kjo Qeveri është e paaftë për të menaxhuar buxhetin që e ka pasur për projektet kapitale, është e paaftë për të ndërtuar partneritete dhe zbatim të obligimeve kontraktuale dhe, mbi të gjitha, e vendos zhvillimin ekonomik në vend në një situatë ekstremisht të rëndë, për shkak se investitori më i madh në Kosovë është vetë Qeveria, vetë shteti. Pra, paramendoni, gjatë gjithë viteve të kaluara, sipas të dhënave të cilat janë të dhëna zyrtare, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar vetëm 35 deri në 40 për qind të fondit për investime kapitale”, ka deklaruar Tahiri për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se projektbuxheti i ri nuk i adreson nevojat dhe problemet kryesore me të cilat përballet vendi, duke vlerësuar se fokusi është më shumë në masa sociale sesa në investime që nxisin zhvillimin ekonomik.
Sipas tij, mbi një miliard eurot e paraqitura për investime kapitale përfshijnë edhe mjete të bartura nga vitet paraprake për shkak të mosrealizimit të tyre.
“Ajo që ne shohim me këtë buxhet, shohim një shpërfillje serioze të gjendjes reale në Kosovë. Buxheti i vitit 2027 e shpërfill problemin me të cilin ballafaqohet Kosova, i shpërfill në çdo aspekt nevojat prioritare që i ka shoqëria e Kosovës dhe fokusohet kryesisht në veprime të cilat janë sociale dhe jo zhvillimore. Ky fond është fond i bartur. Pra, ky fond i një miliardi është fond i bartur për shkak se ky fond për investime kapitale nuk është shpenzuar mbi 40 për qind në vitin 2026”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka përmendur edhe një sërë projektesh infrastrukturore që, sipas tij, kanë mbetur të papërfunduara, duke përfshirë autostradën për Gjilan, rrugën Prishtinë-Gjilan, aksin Prishtinë-Dollc-Gjakovë dhe urën në Vranidoll. Ai ka kritikuar edhe mungesën e projekteve të reja rrugore, përfshirë Unazën e Prishtinës.
“Asnjë rrugë e cila është nisur në vitin 2021 nuk ka përfunduar në plotëni. Nuk ka përfunduar autostrada për Gjilan. Në fakt, është ndalur, nuk është duke punuar. Rruga Prishtinë-Gjilan është rruga e vdekjes. Nuk ka përfunduar në plotëni rruga Prishtinë-Dollc-Gjakovë. Ajo rrugë është rruga e territ. Është rrugë pa sinjalizim. Është rrugë që Zoti e di, jo dora e njeriut, dora e Qeverisë, si është dashur të vendosë sinjalizime dhe përfundim tash e pesë vite. Është bllokuar në kryqin e Klinës. Ura e cila do të duhej ta lironte qarkullimin e trafikut Prishtinë-Pejë, nuk është përfunduar ura në Vranidoll. Ende është e njëjta. Dhe mbi të gjitha, nuk është nisur asnjë rrugë autostradë e re, duke përfshirë edhe Unazën e Prishtinës. Zotimet në buxhetin e vitit 2027, pra zotimet infrastrukturore, janë mashtrime elektorale të cilat kanë ndodhur tash e pesë vite dhe do të jetë avazi i njëjtë, vazhdimi i njëjtë”, ka deklaruar Tahiri.
Ndërkaq, ekonomisti Fidan Qerimi, në një prononcim për Ekonomia Online, ka vlerësuar se niveli i realizimit të investimeve kapitale prej rreth 35 për qind është jashtëzakonisht i ulët. Sipas tij, mjetet e pashpenzuara po barten nga një vit në tjetrin, duke krijuar një shumë të akumuluar ndër vite, por pa prodhuar ndikimin e pritur në mirëqenien e qytetarëve.
“Fatkeqësisht, ky trend i mosrealizimit të investimeve kapitale brenda një viti kalendarik është në vazhdimësi dhe ky nivel i realizimit të investimeve kapitale prej 35 për qind është jashtëzakonisht i ulët. Kjo pjesë e investimeve kapitale që është e parealizuar këtë vit do të bartet për vitin tjetër, e që është një kumulativ i mbledhur në disa vite dhe kjo padyshim që ka një rritje të jashtëzakonshme, por këto investime kapitale nuk është se po përmirësojnë jetën e qytetarit dhe mirëqenien e tyre”, ka deklaruar Qerimi.
Ai ka vlerësuar se Qeveria duhet të ndërmarrë ndryshime ligjore, organizative dhe strukturore, në mënyrë që të rritet përqindja e realizimit të projekteve dhe qytetarët të kenë përfitime konkrete nga këto investime.
“Padyshim, të gjitha investimet kapitale janë të rëndësishme për jetën e qytetarit. Çka do të duhej të bëjë Qeveria e Kosovës është që të shohë ku janë pengesat e mosrealizimit të investimeve kapitale. Një nivel prej 35 për qind i realizimit të investimeve kapitale është jashtëzakonisht i ulët. Mund ta quaj edhe një dështim të Qeverisë në realizimin e projekteve kapitale. Pjesa e realizimit të këtyre projekteve duhet të shihet ku janë ngecjet dhe të bëhen ndryshimet, qoftë ligjore, qoftë organizative apo strukturore, dhe të përmirësohet kjo përqindje e realizimit. Në momentin që ne e rrisim përqindjen e realizimit të investimeve kapitale, për qytetarin do të jenë të prekshme ato projekte të cilat realizohen, por fatkeqësisht me këtë trend të investimeve nuk është se po ndikohet jeta e qytetarit dhe ndikimi i këtyre investimeve kapitale në ekonominë e vendit do të jetë jashtëzakonisht i ulët”, shtoi Qerimi.
Qeveria e Kosovës ka prezantuar të hënën projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.
Kryeministri Albin Kurti tha se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.
Sipas Kurtit, nga shuma e përgjithshme e projektuar, 908 milionë euro do të ndahen si financim direkt për komunat e Kosovës.
Gjatë prezantimit, Kurti vlerësoi se rritja e vazhdueshme ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe në qëndrueshmërinë e financave publike.
Ai bëri të ditur se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.
Kurti, ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh mbi 1 miliard euro për investime kapitale.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka theksuar se këto mjete do të orientohen në projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugëve të reja, autostradave dhe digave për ruajtjen e ujit.
Ai ka përmendur gjithashtu investimet në shëndetësi, furnizimin me barna esenciale, pajisjet moderne mjekësore dhe mbrojtjen e ambientit.
Një pjesë e buxhetit do të dedikohet edhe për kompletimin e infrastrukturës sportive në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.









