Prej vitesh, përdoruesit e rrjeteve sociale e kanë përdorur nofkën “Mobutu” për t’iu referuar Kylian Mbappés, duke sugjeruar se sulmuesi i Real Madridit sillet si një diktator, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
Ajo që nisi si një meme në internet ka kaluar edhe në stadiume, ku tifozët kundërshtarë herë pas here kanë brohoritur nofkën në përpjekje për të nxjerrë nga loja kapitenin e Francës.
Në një pjesë të intervistës me gazetën franceze “L’Équipe”, Mbappé më në fund iu përgjigj kësaj nofke virale dhe shpjegoi pse ajo i duket më shqetësuese sesa argëtuese.
“Një pjesë e saj është qesharake, sepse mund ta kuptosh se për disa njerëz gjithçka bëhet për shaka dhe për argëtim,” tha Mbappé.
“Por ka edhe një pjesë që është shumë më pak qesharake, sepse e dimë dëmin që njerëz të tillë kanë shkaktuar gjatë historisë. Të krahasohesh me njerëz që vrasin të tjerët, apo që kanë bërë miliona e miliona njerëz të vuajnë…”, tha ai.
Mobutu Sese Seko sundoi atë që sot është Republika Demokratike e Kongos për më shumë se tri dekada, ndërsa diktatura e tij u bë sinonim i korrupsionit, represionit dhe dhunës.
Ndërsa Mbappé e kupton se shumë njerëz e përdorin nofkën si shaka, ai tha se nuk ndihet rehat me memet që në fund dëmtojnë reputacionin e tij.
Intervista e plotë, e cila do të publikohet të shtunën në revistën “France Football”, trajton ndjenjat e përziera që Mbappé ka për faktin se është bërë subjekt i krahasimeve virale.
“Nuk mendoj se kam bërë ndonjëherë diçka të tillë në jetën time,” tha ai.
“Pra, është një përzierje gjërash. Nga njëra anë, e di se bëhet pa ndonjë qëllim të keq dhe nuk shkon aq larg. Por ndonjëherë tregon mungesë të vetëdijes politike dhe njerëzore”, tha ai tutje.
Mbappé më pas përmendi një shembull tjetër që përfshin bashkëlojtarin e tij në kombëtaren e Francës dhe mikun e ngushtë, Ousmane Dembélé, i cili gjithashtu e ka quajtur me shaka Mbappén “Mobutu”.
“Është ndryshe me Ousmanen. Ai e mori nga rrjetet sociale. Ai e përdor për t’i bërë njerëzit të qeshin, jo për të lënduar dikë,” tha Mbappé.






