Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përkujtuar 1 Tetorin e vitit 1997, kur studentët e Universitetit të Prishtinës dolën në protestë për të kërkuar rikthimin në hapësirat universitare, prej të cilave shqiptarët ishin përjashtuar që nga viti 1991.
Rama, përmes një postimi, e ka cilësuar këtë ngjarje si një “akt politik dhe akt rezistence”, duke vlerësuar kontributin e studentëve dhe të gjithë brezit që, sipas tij, e shndërroi përjashtimin nga universiteti në mobilizim për të drejtat dhe lirinë.
“1 Tetori 1997, akt politik, akt rezistence”, ka shkruar Rama.
Ai ka rikujtuar se studentët, të organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve dhe të prirë nga profesori Ejup Statovci, dolën për të kërkuar kthimin në hapësirat universitare, pas viteve të mësimit në shtëpi private dhe moszbatimit të marrëveshjes për arsimin.
Sipas Ramës, kërkesa e studentëve për rikthim në universitet kishte edhe një dimension të thellë politik, pasi sfidonte një sistem që, përmes përjashtimit nga arsimi dhe institucionet, ua mohonte shqiptarëve të drejtat e tyre.
Studentët, të veshur me të bardha, u përballën në mënyrë paqësore me bllokadën dhe ndërhyrjen e policisë serbe. Marshimi i tyre u ndal në Velani, ndërsa protesta e 1 Tetorit u shndërrua në një nga momentet e rëndësishme të rezistencës studentore dhe qytetare në Kosovë.
“Ky është kontributi i një brezi të tërë, i vajzave dhe djemve që e shndërruan përjashtimin në mobilizim dhe të drejtën për arsim në një çështje të lirisë e të dinjitetit kombëtar”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se Prishtina sot e nderon këtë brez, i cili më 1 Tetor 1997 kërkoi vendin e tij në universitet dhe, përmes kësaj kërkese, afirmoi edhe aspiratën për të ardhmen e Kosovës.
“Prishtina e nderon këtë brez që më 1 Tetor 1997 kërkuan vendin e tyre në universitet dhe afirmuan vendin e një populli në të ardhmen e vet”, ka përfunduar Rama.






