Ditë më parë, drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri Klodjan Braho, gjatë qëndrimit në Kosovë, nënshkroi edhe një marrëveshje me Prokurorinë Speciale këtu.
Siç u tha nga ky institucion, SPAK dhe PSRK nënshkruan një marrëveshje për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, por që nuk u dhanë detaje se për çka bëhet fjalë konkretisht.
Ky institucion as pas insistimit të televizionit nuk ka dhënë detaje për këtë marrëveshje.
“Nuk mund të ofrojmë detaje rreth marrëveshjes së fundit, por Prokuroria Speciale ju konfirmon se ka pasur dhe vazhdon të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm me SPAK. Të dy Kryeprokurorët, në takimin e fundit kanë rikonfirmuar angazhimin për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejshëm të koordinimit ndërinstitucional.” – Prokuroria Speciale e Kosovës
Televizioni ka pyetur edhe SPAK-un për marrëveshjen por ata nuk kthyen përgjigje.
Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë se do të duhej të ishte transparente një marrëveshje e tillë, por që në fund ato ndihmojnë të dyja sistemet.
“Unë besoj që në parim është dhe duhet mirëpritur çdo lloj bashkëpunimi që PSRK-ja dhe autoritetet e Kosovës i realizojnë këto lloj marrëveshje me shtet të tjera, qoftë edhe në rajon dhe Evropë, por besoj që këto lloj marrëveshje shërbejnë për shkëmbimin e informatave, shkëmbimin e përvojave, ekspertizave të ndryshme.”, ka thënë Vullnet Bugaqku – Hulumtues në KDI
Tutje Bugaqu thotë se SPAK mund ta ndihmojë PSRK-në në ekspertiza për hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
“Në Shqipëri duket që ata kanë një lloj ekspertize të paktën duket se është një lloj ekspertizë më e madhe në ndjekjen e veprave penale kundër korrupsionit, sepse ata kohën e fundit kanë ndjekur, kanë arrestuar i kanë në proces gjyqësor të politikanëve të profilit të lartë. Unë besoj që mënyra e hetimit që kanë zhvilluar ata atje do i shërbejë shumë autoriteteve në Kosovë dhe metodologjia që e kanë ndjek për zbulimin e veprave penale të korrupsionit.”, ka thënë Vullnet Bugaqku – Hulumtues në KDI.
Prokuroria Speciale e Kosovës aktualisht ka katër departamente, ai i hetimit të krimeve të luftës, krimit të organizuar, terrorizimit, dhe hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar. /Dukagjini/






