Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka ndarë një histori suksesi të një vajze nga diaspora shqiptare, e cila i është bashkuar Gardës Kombëtare të Luizianës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se Rona Mala, me prejardhje nga Drenasi, pas 12 javësh përgatitjeje intensive ka përfunduar me sukses Basic Combat Training në bazën ushtarake Fort Sill, në Oklahoma. Aktualisht, ajo po vazhdon Advanced Individual Training në Fort Leonard Wood, Missouri, pas përfundimit të të cilit pritet t’u rikthehet studimeve universitare.
Maqedonci ka treguar se ishte i ftuar si Mysafir Nderi në ceremoninë e diplomimit të Ronës në Fort Sill, por për shkak të angazhimeve zyrtare në Kosovë nuk kishte mundësi të merrte pjesë.
Ai ka vlerësuar arritjet e Ronës, duke theksuar se ajo është dalluar edhe gjatë shkollimit, ka qenë pjesë e “Honor Roll” dhe ka arritur deri në finale të garave kombëtare të vallëzimit në SHBA.
“Rona është ndër vajzat e rralla të diasporës sonë, që në një moshë kaq të re, ka zgjedhur t’i bashkohet Ushtrisë Amerikane”, ka shkruar Maqedonci.
Në fund, ai e ka uruar Ronën për sukseset e mëtejshme në trajnimin ushtarak, studime dhe sfidat e ardhshme, duke e cilësuar arritjen e saj si krenari për familjen, Drenasin, diasporën dhe Kosovën.






