Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e kanë pyetur zëdhënësin e Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka se ku ndodhet kryeministri në detyrë, Albin Kurti, raporton EO.
Ndërsa Manxhuka po hynte në objekt, deputetët e PDK-së e pyetën se ku është Kurti, dhe “nga ka hy?”
Ata akuzuan se Kurti ka hyrë brenda nga bodrumet e Qeverisë dhe se ka hyrë i “mbuluar me qebe”.
Manxhuka u ka bërë thirrje përfaqësuesve opozitarë që të marrin me vete kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, dhe të hyjnë në takim me kryeministrin.
“Merreni kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe ejani në takim”, u ka thënë Manxhuka përfaqësuesve të opozitës.
Ai ka theksuar se Kurti ndodhet në zyrën e tij dhe është i gatshëm për takim me liderët opozitarë.
Thirrja vjen në kohën kur partitë opozitare po kërkojnë zgjidhje për situatën politike dhe konstituimin e institucioneve të reja.






