Manchester City raportohet se ka hapur bisedimet me Milanin për transferimin e dy yjeve të tyre gjatë afatit kalimtar veror.
City është paraqitur nën standardin e tyre këtë sezon dhe do të duhet të bëjnë një punë të madhe për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Ata gjithashtu do të luajnë në gjysëmfinale të FA Cup ndaj Nottingham Forest në një garë që mund të shpëtojë sezonin e tyre.
Në janar, Pep Guardiola kishte mirëpritur tri blerje të reja me Abdukodir Khusanov, Omar Marmoush dhe Nico Gonzalez që iu bashkuan ‘Qytetarëve’.
Kështu Pep Guardiola mund të synojë përforcimin e ekipit të tij në verë, me Kevin De Bruyne që pritet të largohet nga klubi pas skadimit të kontratës në qershor.
E ardhmja e Kyle Walker i cili momentalisht është tek Milani në huazim është po ashtu e pasigurt së bashku me atë të Ilkay Gundogan kontrata e të cilit po i afrohet fundit.
Në këtë mënyrë blerje të reja do të nevojiten, por kush mund të transferohet në ‘Etihad’?
Siç ka raportuar TEAMtalk, City po planifikon një ofertë për transferimin e dyshes së ‘Rossonerëve’, Tijjani Reijnders dhe Theo Hernandez.
Raporti shton se klubi italian është nën presion të madh për të gjeneruar fonde të nevojshme këtë verë, pasi duket që kanë pak gjasa të luajnë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Është lënë të kuptohet se gjiganti italian te vlerëson kartonin e Reijnders rreth 61 milionë euro, ndërsa atë të Hernandez rreth 26 milionë euro.