Politologu Albinot Maloku, vlerëson që Qeveria Kurti do të jetë më agresive në fjalor gjatë fushatës, pasi sipas tij do të provojë maksimalizimin e propagandës për të ruajtur një pozicion qeverisës.
Maloku ka thënë se paralelisht me këtë pushteti gjatë fushatës përveç prezantimit do të angazhohet edhe që të prezantojë më të mirën e asaj që ka bërë në qeverisjen katër vjeçare.
Ndërkaq, për subjektet politike opozitare ai ka thënë se qëllim të tyre përveç propagandës do të kenë edhe gjetjen e vërejtjeve ndaj qeverisë.
“Konsideroj që do të ashpërsohet fjalori për faktin që garnitura aktuale drejtuese e vendit do të provojë maksimizimin e propagandës për të ruajtur një pozicion të vetin qeverisës në vend dhe pjesa tjetër që do të mundohet që paralelisht kësaj përveç prezantimit pushteti e ka vetëm një angazhim, propagandën për të prezantuar më të mirën e asaj çfarë ka bërë. Kurse subjektet politike opozitare kanë përveç atë çfarë është propagandë edhe pjesën tjetër për të gjetur vërejtjet e tyre ndaj qeverisë dhe garniturës aktuale drejtuese pra pritet që të jetë më agresive në fjalor”, është shprehur ai në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit do të nisë të shtunën, më 11 janar.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë dhe secila parti e certifikuar mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore.
Ndërsa, të hënën nga KQZ-ja subjektet politike në Kosovë janë pajisur me numra, me të cilët do të garojnë në zgjedhje.