Politologu Albinot Maloku ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe takimet mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të zhvilluara në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjet institucionale.
I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Maloku vlerësoi se mënyra se si është menaxhuar ky proces i ka shkaktuar dëme LDK-së, duke ndikuar në imazhin e saj politik.
“Prapë ishte një pozicion që i ofroi LDK-së një pozitë jashtëzakonisht të keqe në imazhin e saj, për ta konvertuar LDK-në sikur tani është faktori edhe i LVV-së. Ishte një autogol që ia bëri vetes, por edhe LDK-së, e posaçërisht LDK-së. Në këtë rast situata nuk është aspak e mirë”, ka deklaruar Maloku.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk është dashur të mbështetet vetëm në bisedimet me LDK-në, por të zhvillojë komunikim edhe me subjektet e tjera politike.
“LVV-ja është dashur të takohej edhe me të tjerët dhe të krijonte atmosferë bashkëpunimi edhe me partnerë të tjerë, me subjektet politike që janë aktive në skenën politike të Kosovës. Megjithatë, unë mendoj se z. Abdixhiku është rëndesa më e madhe që i ka ndodhur LDK-së me veprimet që po ndodhin, por njëkohësisht i ka dhënë edhe një narrativë LVV-së për të ngecur dhe për të pritur”, është shprehur ai.
Maloku shtoi se Abdixhiku, sipas tij, i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm LDK-së dhe se brenda partisë nuk ekziston mbështetje e gjerë për një bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Problemi është se Abdixhiku i ka bërë një dëm të madh LDK-së. Sot po duket qartë se në këtë LDK aktuale Abdixhiku ka vetëm një numër shumë të vogël të deputetëve që e mbështesin partneritetin me LVV-në. Unë vazhdoj të mendoj se z. Abdixhiku është shtytësi kryesor i tentimit për një bashkëqeverisje dhe bashkëpunim me LVV-në”, ka thënë Maloku.






