Mbrojtësi i djathtë i Chelseat, Malo Gusto, raportohet se ka arritur marrëveshje për kushtet personale me Manchester Cityn për një transferim gjatë kësaj vere, duke synuar një ribashkim me ish-trajnerin e tij, Enzo Maresca.
Francezi ka dhënë dritën jeshile për kalimin, ndërsa tani Cityt i mbetet vetëm të arrijë marrëveshje me Chelsean për shumën e transferimit.
Sipas “Foot Mercato”, Gusto ka pranuar ofertën e Manchester Cityt.
Klubi anglez ka vepruar shpejt për të testuar gatishmërinë e lojtarit dhe ka arritur një marrëveshje në parim me të.
Gusto është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm te Chelsea që prej transferimit nga Lyon për 30 milionë euro në janar të vitit 2023.
Ai ka zhvilluar 134 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar tre gola dhe dhuruar 17 asistime, ndërsa fitoi edhe Ligën e Konferencës gjatë sezonit 2024/25.
Një faktor kyç që po shtyn këtë transferim është prania e Enzo Marescës, i cili pritet gjerësisht të jetë pasuesi i Pep Guardiolës në stolin e Manchester Cityt.
Trajneri italian, i cili punoi me Guston te Chelsea nga korriku i vitit 2024 deri në janar të këtij viti, gëzon një marrëdhënie shumë të mirë me mbrojtësin francez.
Maresca e konsideron Guston një pjesë shumë të rëndësishme të projektit të tij të ri, ndërsa edhe vetë lojtari është i entuziazmuar nga mundësia për të punuar sërish me ish-trajnerin e tij, sidomos pasi fituan së bashku Kupën e Botës për Klube të FIFA-s në vitin 2025.
Manchester City ka shfrytëzuar këtë marrëdhënie të fortë për ta bindur lojtarin t’i bashkohet projektit të tyre, me shpresën se përvoja e tij do ta ndihmojë skuadrën në përpjekjen për t’ia rrëmbyer titullin kampion Arsenalit.
Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes me Guston, Manchester City do ta ketë të vështirë të negociojë me Chelsean.
“Blutë” pritet të kërkojnë një shumë të lartë, pasi mbrojtësi ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2030.
Për më tepër, Chelsea ka marrë tashmë disa oferta për yjet e saj gjatë këtij afati kalimtar dhe nuk është e gatshme të lejojë një tjetër largim drejt një rivali të drejtpërdrejtë në Premierligë.






