Malisheva thyen Vllazninë, kalon në rundin e dytë të Conference League

- Advertisement -

Malisheva ka siguruar kualifikimin në rundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League, pasi ka triumfuar bindshëm ndaj Vllaznisë së Shkodrës me rezultat 5-0 në ndeshjen e kthimit.

Skuadra kosovare kalon tutje me rezultat të përgjithshëm 6-2, pas humbjes 2-1 në sfidën e parë të zhvilluar në Shkodër.

Malisheva zhvilloi një paraqitje fantastike në Kampin Nacional në Hajvali, duke qenë dukshëm skuadra më e mirë në fushë. Të besuarit e Tomas Brdariç kontrolluan lojën, krijuan raste të shumta dhe realizuan pesë gola ndaj skuadrës shkodrane.

Kreshnik Uka zhbllokoi rezultatin në minutën e 34-të, duke kaluar Malishevën në epërsi, ndërsa në kohën shtesë të pjesës së parë, Ibishi shënoi për 2-0.

Në pjesën e dytë, Malisheva vazhdoi me ritëm të lartë dhe kërkoi golat e kualifikimit. Uka ishte sërish protagonist në minutën e 52-të, duke realizuar golin e tij të dytë personal dhe të tretin për ekipin vendas.

Vetëm pesë minuta më vonë, në minutën e 57-të, Veliu shënoi për 4-0, ndërsa rezultatin përfundimtar 5-0 e vulosi Dulaj në minutën e 89-të.

Me këtë fitore të thellë, Malisheva eliminon Vllazninë dhe vazhdon rrugëtimin historik në garat evropiane, duke siguruar një vend në rundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League.

Të ngjashme

Të fundit