Verdikti i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pasojat e tij në skenën vendore ishin temë diskutimi në “Edicionin Special” në Klan Kosova, ku i ftuar ishte opinionisti Agon Maliqi.
Maliqi e cilësoi këtë vendim si një prej ngjarjeve më traumatike në historinë politike bashkëkohore të Kosovës, duke vlerësuar se mënyra se si Gjykata e ka interpretuar strukturën komanduese të UÇK-së dhe e ka gjykuar luftën brendashqiptare, ka rikthyer polarizimin e brendshëm dhe ka prodhuar indinjatë të thellë qytetare.
“Është një prej ngjarjeve ndoshta më traumatike politike në historinë tonë politike bashkëkohore, domethënë fakti që kanë ra ato krimet kundër njerëzimit, pra akuza, kjo pjesë e akuzës që ka ra ka qenë pozitive. Mirëpo, e ka rihapë, në njëfarë forme gjykata e ka rihapë atë, e ka gjyku luftën në njëfarë forme brenda shqiptare dhe e ka rikthy pak edhe atë polarizimin tonë të brendshëm”.
Sipas tij, Qeveria po përpiqet të amortizojë reagimin publik dhe po sillet sikur kjo është thjesht një betejë politike e opozitës.
Në lidhje me rrugëdaljen nga kjo gjendje, analisti vuri në dukje se i gjithë spektri politik në Kosovë, përfshirë LDK-në dhe partitë tjera, duhet të bashkohen rreth kërkesës thelbësore se a është vënë drejtësi dhe a ka qenë procesi i rregullt ligjërisht.






