Analisti politik Agon Maliqi ka kritikuar ashpër ndaj atyre që i cilësoi si “sharllatanët populistë dhe provincialë të shoqërisë civile”, duke i akuzuar disa për populizëm, militarizëm, gjuhë të urrejtjes ndaj pakicave dhe për mbështetje të presionit ndaj mediave.
Në një postim në Facebook, Maliqi ka thënë se këta akterë nuk kanë kredibilitet moral e publik për të kërkuar sot përgjegjësi nga mediat.
“Sharllatanët populistë dhe provincialë të shoqërisë civile në Kosovë, që i kanë fryrë militarizmit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj pakicave, dhe që e kanë duartrokitur shtypjen flagrante të lirisë së mediave në Kosovë në shërbim të dëshirave të Kurtit, kanë zero kredibilitet për t’i kërkuar llogari mediave sot për punën e tyre”, ka shkruar Maliqi.
Ai ka shtuar se disa prej këtyre figurave, sipas tij, karrierën publike e kanë ndërtuar pikërisht në hapësirat mediale që sot i kritikojnë.
“Për më tepër që edhe karrierat sharllataneske i kanë ndërtuar në po ato studio televizive që sot i shajnë, deri edhe në nivelin e emisioneve argëtuese me homofoben Duda Balje”, ka shkruar ai.
Maliqi e ka lidhur këtë fenomen me atë që e quan “mjerim intelektual”, duke thënë se ky mentalitet ka kontribuar në bllokimin e perspektivës zhvillimore dhe evropiane të Kosovës.
“Mjerimi intelektual që e ka ngujuar Kosovën në një shtet pa perspektivë zhvillimi dhe integrimi me pjesën tjetër të Evropës e ka një adresë përgjegjësie: nevojën e pashterrshme të sharllatanëve për vëmendje, dhe duartrokitjet e një publiku që mendimin politik e ka reduktuar në tifozllëk për babën”, ka përfunduar Maliqi.






