Disa qindra malazezë kanë protestuar të premten pranë ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi në Podgoricë, duke kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësia politike e sistemit të sigurisë, pas vrasjes së 12 njerëzve më 1 janar në Cetinje.
Aco Martinoviq vrau dymbëdhjetë njerëz, përfshirë dy fëmijë, dhe plagosi katër të tjerë më 1 janar në Cetinje. Disa orë më vonë, ai kreu vetëvrasje.
Dy djem të moshës 8 dhe 13-vjeçare ishin në mesin e të vrarëve.
Më vonë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për veprimet e autoriteteve atë mbrëmje, ata brohoritën “Ku ishut më 1 janar?”, “Ku është Daniku Danillo Sharanoviq [ministri i Brendshëm] që nuk shfaqet?”, “A e kanë fajin qytetarët?” dhe ” Vrasës”.
“Duhet të ishit në Cetinje, jo të na ruani neve këtu”, brohoritën qytetarët, duke aluduar se Martinoviqi nuk ishte kapur as gjashtë orë pas kryerjes së vrasjeve.
Ata kanë brohoritur edhe emrat e djemve të vrarë “Jovan” dhe “Vukan”.
Një pjesë e turmës u përpoq ta thyente gardhin mbrojtëse në disa raste.
“Ne kemi fëmijë dhe kemi frikë se dikush do të përsërisë diçka të ngjashme. Kë po mbroni ju, ne nuk jemi të armatosur dhe nuk kemi armë ilegale”, tha Dushan Drakiq nga Podgorica duke iu drejtuar policëve që ruanin ndërtesën e Qeverisë.
Drakiq në këtë mënyrë iu referua pretendimeve të policisë, e cila më 1 janar njoftoi se arma me të cilën Martinoviqi kreu vrasjet ishte “pa leje”.
Drakiq kërkoi nga autoritetet të verpojë, duke theksuar se “përndryshe kjo tragjedi do të na trokasë në derën e të gjithëve”.
Të enjten, qytetarët në disa qytete të Malit të Zi bënë nderimet e tyre për viktimat e Cetinjës duke ndezur qirinj.
Vrasja në Cetinje ishte e dyta e shumëfishtë në këtë qytet në dy vjetët e fundit. Në gusht të vitit 2022, Vuk Boriloviq vrau 10 njerëz dhe plagosi 6 të tjerë, para se të kryente vetëvrasje.
Për shkak të vrasjes në Cetinje, për të dielën më 5 janar janë paralajmëruar dy protesta – në Cetinje dhe në Podgoricë, para Ministrisë së Punëve të Brendshme./Radio Evropa e Lirë/