Tre organizata për të drejtat e njeriut – Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në Serbi, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) dhe Rrjeti i Pajtimit REKOM – thanë se aktgjykimi i shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka vërtetuar fakte që nuk mund të mohohen për shkak të narratives mbizotëruese në Kosovë mbi luftën çlirimtare të UÇK-së.
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat thanë se aktgjykimi “dokumenton vende ndalimi, tortura, vrasje dhe zhdukje të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës – përfshirë anëtarë të LDK-së, persona pa angazhim politik, si dhe pjesëtarë e përkrahës të UÇK-së”.
Ato theksuan se etiketimi i viktimave si “kolaboracionistë” nuk mund të justifikojë rrëmbimin, torturimin apo vrasjen e tyre. Njëkohësisht, organizatat e cilësuan të arsyeshëm pakënaqësinë në Kosovë për mungesën pothuajse të plotë të ndjekjes penale në Serbi të oficerëve të lartë të Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës.






