8.3 C
New York
Thursday, March 28, 2024

Buy now

“Maji i përgjakshëm” i Iranit, ekzekutohen edhe 3 protestues

- Advertisement -

Pavarësisht protestave të përhapura publike, kundërshtimeve nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe shqetësimeve të ngritura nga qeveri të shumta, Irani ka ekzekutuar tre burrat që u arrestuan gjatë protestave antiqeveritare.

Kritikët argumentojnë se autoritetet kryen gjykime të nxituara, detyruan me forcë “rrëfimet” e të akuzuarve dhe shkelën të drejtën e tyre për një proces të rregullt ligjor.

Sipas një raporti të publikuar nga agjencia e lajmeve Mizan, e lidhur me gjyqësorin e Iranit, Saleh Mirehashimi, Majid Kazemi dhe Saeed Yaqoubi u ekzekutuan në agimin e 19 majit në një burg në qytetin qendror iranian të Isfahanit.

Treshja ishte e përfshirë në një incident më 16 nëntor 2022, gjatë të cilit dy anëtarë të forcave paraushtarake iraniane dhe një oficer i zbatimit të ligjit u qëlluan për vdekje në Isfahan.

Përplasja ndodhi në kulmin e protestave të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, 22 vjeçarja që vdiq teksa po mbahej në paraburgim nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

Megjithatë, bazuar në një foto të vendimit të gjykatës të bërë publik nga familjet e të pandehurve, dënimet me vdekje për të tre personat nuk janë dhënë për vrasje, por për “luftë kundër Zotit”, një krim që shpesh zbatohet për të përndjekurit politikë në Iran.

Të tre burrat mohuan akuzën për vrasje gjatë rrëfimeve të tyre të dhëna me detyrim dhe të transmetuara në televizionin shtetëror të Iranit.

Thirrjet për anulimin e ekzekutimeve janë shtuar ditët e fundit pasi Gjykata e Lartë iraniane la në fuqi dënimet.

Familjarët dhe mbështetësit e të dënuarve kanë mbajtur tubime të shumta jashtë burgut qendror në Isfahan. Ata janë përballur me kundër-reagime të dhunshme nga forcat e sigurisë.

Më 18 maj, personat e dënuar u lutën për ndihmë publike duke shkruar një mesazh të dëshpëruar nga brenda burgut, i cili u kontrabandua dhe u shpërnda në rrjetet sociale.

Letra e shkruar me dorë thoshte: “Mos i lini të na vrasin. Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj.”

Një grup avokatësh dhe juristësh iranianë theksuan në një letër më 15 maj se procedurat ligjore, shqyrtimi dhe dënimi i tre individëve u konsideruan “të paligjshme”.

Ata theksuan se “standardet e gjykimit të drejtë nuk ishin respektuar në asnjë nga këto raste”.

Pas vdekjes së Aminit, autoritetet kishin paralajmëruar për pasoja të rënda për çdo mospajtim gjatë muajve të trazirave që pasuan.

Pas trazirave që pasuan pas vdekjes së Amini, autoritetet lëshuan paralajmërime të zgjatura për pasoja të rënda për çdo formë mospajtimi me ta. Ligjvënësit kanë ushtruar presion mbi gjyqësorin për të vendosur dënimin me vdekje ndaj protestuesve të arrestuar.

Protestat që shpërthyen në Iran konsiderohen si sfida më e rëndësishme për udhëheqjen islamike që kur ajo erdhi në pushtet në vitin 1979. Deri më tani, autoritetet iraniane kanë mbajtur fjalën e tyre, duke ekzekutuar të paktën shtatë protestues, përfshirë tre të fundit.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se autoritetet në Iran po përdorin ekzekutimet për të ngjallur frikë në shoqëri, dhe jo për të luftuar krimin.

Amnesty International tha në një raport vjetor më 16 maj se Irani ka ekzekutuar 576 persona në vitin 2022, ndërsa kishte ekzekutuar 314 një vit më parë.

Grupi i të Drejtave të Njeriut në Iran me bazë në Norvegji thotë se deri tani, këtë vit, të paktën 256 persona janë ekzekutuar në Iran, duke përfshirë të paktën 90 në 18 ditët e fundit, duke e bërë majin “muajin më të përgjakshëm” në vend në pesë vitet e fundit.

“Ajo që ne po dëshmojmë në Iran nuk janë ekzekutime, por vrasje masive jashtëgjyqësore për të krijuar frikë në shoqëri dhe për të ruajtur pushtetin”, tha drejtori i kësaj organizate, Mahmood Amiry-Moghaddam.

“Për të ndalur makinën vrasëse të Republikës Islamike, nevojitet veprim i vendosur dhe konkret nga komuniteti ndërkombëtar dhe jo vetëm shprehje keqardhjeje dhe dënimesh”, shtoi ai.

Shtetet e Bashkuara më 18 maj i kërkuan Iranit të mos kryente tre ekzekutimet, por disa aktivistë, dhe madje edhe politikanë perëndimorë, thanë se duhet bërë më shumë për të ndaluar valën e dënimeve me vdekje që po kryhej nga Teherani.

“Askush nuk e di nëse ata mund të kishin shpëtuar, por Gjermania dhe BE-ja as që përpiqen. [Ministrja e Jashtme gjermane Anna] Baerbock më në fund duhet të kërkojë dhe të gjejë fjalë për tmerrin që po ndodh në Iran. Heshtja nuk është politikë”, shkroi në Twitter Norbert Rottgen, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Gjerman. /REL/

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit