Ligjvënësit në Hungari votuan një ndryshim të rëndësishëm kushtetues që kufizon pushtetin e kryeministrit duke e lenë atë të jetë në pushtet vetem 8 vite ose e thënë ndryshe dy mandate, një masë kjo e cila do të pengojë rikthimin në pushtet të ish-kryeministrit nacionalist Viktor Orban.
Amendamenti u miratua me shumicë të madhe në parlament, me 135 vota pro, 50 kundër dhe 6 abstenime. Sipas ligjit hungarez, ndryshime të tilla mund të kalojnë me shumicë të cilësuar prej dy të tretash, pa nevojën e një referendumi.
Reforma ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së pro-evropianit konservator Péter Magyar, i cili në zgjedhjet e prillit e largoi Orbánin nga pushteti dhe premtoi reforma të thella institucionale si pjesë e asaj që e quajti “ndryshim regjimi”. Sipas Magyar, mungesa e kufizimeve në mandate mund të çojë në përqendrim të pushtetit në duart e një figure të vetme politike.
Nga ana tjetër, partia e Orbánit e kundërshtoi ndryshimin, duke argumentuar se kufizimet e mandatit mund të cenojnë vullnetin e zgjedhësve dhe të kufizojnë zgjedhjen demokratike. Amendamenti nuk e përjashton plotësisht mundësinë e rikthimit të Orbánit në pushtet në të ardhmen, pasi Kushtetuta mund të ndryshohet sërish nga një shumicë e kualifikuar parlamentare.
Ndryshimi i fundit shënon herën e 16-të që Kushtetuta bazë e Hungarisë ndryshohet që nga miratimi i saj në vitin 2011.






