Ish-presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolás Maduro, i cili po ndiqet penalisht dhe mbahet i burgosur në Shtetet e Bashkuara nën akuzat për trafik droge, i ka kërkuar drejtësisë amerikane të rrëzojë aktakuzën ndaj tij, duke pretenduar se gëzon imunitet si kreu i një shteti të huaj.
Në një memorandum të hartuar nga avokatët e tij dhe të dërguar te gjyqtari federal i Nju Jorkut, Alvin Hellerstein, Maduro argumenton se gjykata nuk ka juridiksion për të ndjekur penalisht atë dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores.
Sipas aktakuzës së ngritur ndaj tij dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij, ish-presidenti venezuelian përballet në Nju Jork me katër akuza, përfshirë atë për narkoterrorizëm.
Maduro dhe bashkëshortja e tij u kapën në Caracas gjatë një operacioni ushtarak amerikan me shumë viktima në janar, u dërguan në Shtetet e Bashkuara dhe që atëherë mbahen në një burg federal në Brooklyn.
Gjykimi ndaj Maduros dhe bashkëshortes së tij në Shtetet e Bashkuara do të nisë më 1 qershor 2027, njoftoi në fund të korrikut një gjykatë federale në Nju Jork. /Panorama/






