Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka ndarë pak detaje nga plani 15 pikësh, dokument të cilin lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se do ta bëjë publik gjatë kësaj jave e të cilin tha se do t’ua ofroj të gjitha partive, pa përjashtim
Zyrtarja e lartë e LDK-së tha se ata dolën jashtë obligimeve të tyre kushtetuese, por kanë marr një iniciativë që ta bëjnë një propozim politik, jo obligues, me qëllimin më të mirë që të vijnë tek një zgjidhje e përbashkët.
Ajo tha se, pikat përfshijnë reformë ekonomike, rritje pagash që tha se është adresim i menjëhershëm, adresimi i obligimeve që dalin nga agjenda evropiane.
Madje, tha se për këtë ka edhe hapësirë që partitë tjera të bëjnë propozime e ndryshime, për tu shndërruar më vonë në një dokument të përbashkët.
“Pikat janë shumë të rëndësishme, pikat përfshijnë reformë ekonomike, rritje pagash që është adresim i menjëhershëm, adresimi i obligimeve që dalin nga agjenda evropiane. Edhe po, ka hapësirë për diskutim, nuk e kemi më të drejtën, ne e propozojmë pastaj të gjitha partitë e kanë të drejtën të japin pikat e tyre të bëjnë ndryshime e pastaj të bëhet një dokument nga të gjithë bashkë”, tha ajo në RTK.