Lushaku e LDK-së: PISA 2025, turpi qeveritar!

- Advertisement -

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku ka komentuar publikimin e fundit të PISA’së, e cila Kosovën e rendit thuajse në fund.

Sipas saj, rezultatet e PISA 2025 tregojnë se 3 nga 4 nxënës të Kosovës nuk e arrijnë nivelin bazë në matematikë, lexim dhe shkencë.

Postimi i plotë:

PISA 2025, TURPI QEVERITAR

Sot u publikuan rezultatet e Testit të PISA-s 2025, që janë shqetësuese jo vetëm për faktin se Kosova vazhdon të jetë në fund të tabelës, por për mospërmirësimin e njohurive të nxënësve tanë në dhjetë vitet e kaluara. Duhet të na alarmojë ajo që fshihet pas këtyre numrave!

Rezultatet e PISA 2025 tregojnë se 3 nga 4 nxënës të Kosovës nuk e arrijnë nivelin bazë në matematikë, lexim dhe shkencë.

Mendoni pak çfarë do të thotë kjo!

Fëmijët kalojnë rreth një dekadë në sistemin arsimor dhe një pjesë dërrmuese e tyre arrijnë moshën 15-vjeçare pa kompetencat bazë, që shkolla duhet t’ua japë.

Dhe kjo nuk po ndodh për herë të parë.

Në matematikë, Kosova kishte 362 pikë në vitin 2015. Sot rreth 350.

Në lexim kishte 347. Sot rreth 340.

Në shkencë kishte 378. Sot rreth 357.

Pra, pas dhjetë vjetësh, jo vetëm që nuk ka ndodhur ndyshim, por në të tri fushat rezultati është më i ulët se kur Kosova hyri për herë të parë në PISA.

Çfarë është bërë ndërkohë për ta ndryshuar sistemin arsimor?

Kosova ka pasur ministra, qeveri, strategji, kurrikula të reja, trajnime dhe miliona euro të shpenzuara. Janë premtuar digjitalizim dhe reforma të mëdha. Po pa asnjë rezultat faktik.

Dhe pa rezultatin final që ka më së shumti rëndësi: dija e fëmijëve, nuk është përmirësuar.

Përgjegjësia e qeverisjes së viteve të fundit është e madhe. Kur kjo Qeveri mori përgjegjësinë për arsimin, diagnoza ishte e ditur. PISA 2015 dhe PISA 2018 kishin treguar qartë problemet e sistemit. Gjatë mandatit të saj, PISA 2022 dha edhe një alarm tjetër.

PISA 2025 duhej të tregonte një përmirësim. Përmirësimi nuk ndodhi!

Çfarë bëri Qeveria ndërkohë?

Për vite me radhë, fillimi i vitit shkollor u shoqërua me pasiguri dhe kaos rreth teksteve shkollore, grevave dhe shpërfilljes së mësimdhënësve.

U premtua digjitalizimi i arsimit, por transformimi digjital i shkollave nuk ndodhi.

Nuk u implementua mësimi tërëditor dhe as nuk u përkrahën komunat.

Nuk u ndërtua një sistem i fuqishëm për matjen e cilësisë së mësimdhënies dhe rezultateve të nxënësve.

Nuk u bë reforma e nevojshme e zhvillimit profesional dhe vlerësimit të mësimdhënësve.

Nuk u fuqizua menaxhimi profesional i shkollave dhe motivimi i drejtuesve të tyre.

Dhe, mbi të gjitha, nuk ndodhi kthesa nga një sistem që ende mbështetet shumë në riprodhimin e informacionit drejt një sistemi që zhvillon leximin me kuptim, mendimin kritik, arsyetimin dhe zgjidhjen e problemeve.

Pikërisht këto kompetenca i mat PISA.

Prandaj, Qeveria duhet të turpërohet sot para familjeve dhe fëmijëve të Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit