Aktori i njohur Leonardo Di Caprio u ka bërë thirrje të rinjve brazilianë që në zgjedhjet e ardhshme të vendit të votojnë të gjithë dhe të jenë të kujdesshëm me zgjedhjen e tyre.
“Brazili është shtëpia e Amazonës dhe ekosistemeve të tjera të rëndësishme për ndryshimin e klimës,” tha ai në një postim në Twitter.
“Ajo që ndodh atje ka rëndësi për të gjithë ne dhe votimi i të rinjve është çelësi në nxitjen e ndryshimeve për një planet të shëndetshëm,” thotë më tej Di Caprio.
Megjithatë, menjëherë pas deklaratës së aktorit, presidenti brazilian Jair Bolsonaro i është kundërpërgjigjur me sarkazmë përmes një postimi në Twitter.
“Faleminderit për mbështetjen tuaj, Leo! Është vërtet e rëndësishme që çdo brazilian të votojë në zgjedhjet e ardhshme. Njerëzit tanë do të vendosin nëse duan të mbajnë sovranitetin tonë në Amazon ose të qeverisen nga hajdutët që i shërbejnë interesave të veçanta të huaja”
Di Caprio njihet si një ambientalist që del në mbrojtje të pyjeve tropikale të Amazonës, ku ka dhuruar 5 milionë dollarë për përpjekjet e ruajtjes në 2019. Ndërkohë, Bolsonaro është përballur me kritika të ashpra për politikat mjedisore të qeverisë së tij dhe është akuzuar se ka lejuar që shpyllëzimi në rajon të përshpejtohet.