Vizitat e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, në vende të ndryshme, po shihen pa rezultate nga partitë opozitare për shkak të “lëndimit të raporteve” me ndërkombëtarët. Ndërsa të kundërtën e mendon partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse kanë kaluar mbi tri vite qeverisje, pushteti i Albin Kurtit nuk ka arritur ta sigurojë një njohje. Njohja e fundit për Republikën e Kosovës është ajo e Izraelit, nën drejtimin e ish-kryeministrit Avdullah Hoti.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka thënë për Ekonomia Online se Qeveria Kurti i ka lënduar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, kjo si pasojë e mungesës së bashkëpunimit dhe dakordimeve me ta.
“Nuk e ka një performancë të mirë, nuk e kemi asnjë njohje nuk e kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përkundrazi i kanë lënduar raportet me vendet mike dhe sa herë që kanë marrë një veprim të pa dakorduar, ne kemi ardhë në situata të tilla. Asnjëherë në këto situata nuk e amnistojë Serbinë sepse Serbia kuptohet që ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, po Kosova duhet ta shohë rrugëtimin e vetë dhe rrugëtimi i Kosovës është drejt anëtarësimit në BE në familjen e madhe evropiane”, ka thënë Kadrijaj.
Deputetja nga AAK, ka fajësuar Qeverinë për mos shtimin e numrit të njohjeve të Kosovës, duke shtuar se shteti i ka humbur aleatët.
“Vendet mike, që ndoshta vendet e kanë përkrahë këtë qeveri për me ardh në pushtet sepse kanë menduar në sistemin e njëjtë me mashtrime, qysh kanë ardh në pushtet që nuk do të dialogojnë që nuk do ketë dialog fare veç me serbët kanë menduar se me të njëjtin kut do të trajtohen edhe me ndërkombëtarët do i mashtrojnë ndërkombëtarët por po shifet së i ka hup aleatët”, u shpreh Kadrijaj.
Por ndryshe nga Kadriaj, mendon deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.
Sipas saj, ministrja Gërvalla, angazhohet çdo ditë për rezultate pozitive në diplomaci. Kontributin e saj, e ndërlidh me vizitën e fundit të kryediplomatës në Luksemburg me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Unë besoj që ajo këto i bën kurdo që i jepet mundësia, jo vetëm në takime specifike me ta, por kurdo që ka pjesëmarrje në secilëndo konferencë dhe ka homologë të saj aty ajo e bën këtë gjë ajo lobon për Republikën e Kosovës dhe lobon bën thirrje që të merren këto vendime të cilat do duhej tashmë të merreshin pa pasur nevojë që të bëhej një lobim kaq i madh prej anës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Kryeziu për Ekonomia Online.
Ajo ka shtuar se krahas lobimit për njohje, Gërvalla vazhdimisht punon edhe për heqjen e masave nga BE-ja ndaj Kosovës.
“Ajo lobon për Republikën e Kosovës dhe lobon bën thirrje që të merren këto vendime të cilat do duhej tashmë të merreshin, pa pasur nevojë që të bëhej një lobim kaq i madh prej anës së Republikës së Kosovës dhe unë nuk pres diçka ndryshe prej ministres sepse ministrja e bën punën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe lobimi i saj është i atillë që gjithmonë shkon në favor të Republikës së Kosovës. Prandaj si besoj se si ministrja e punëve të jashtme si përfaqësues tjera institucional do ta japin maksimumin e tyre që një vendim pozitiv të vjen edhe pas kësaj faze apo pas këtij procesi”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.
Ndërsa, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha për Ekonomia Online se nga ministrja e jashtme nuk ka diplomaci funksionale.
“Fatkeqësisht nga kjo ministrja e jashtme unë nuk pres asgjë, ne gati thuajse nuk kemi fare ministri të jashtme nuk kemi fare diplomaci funksionale për shkak të sjelljes së saj i mbani mend sa kritika në Kuvend të Kosovës pse e vendosen një moratorium njëvjeçar pse nuk ka njohje, njohja e Izraelit nuk është e plotë e krejt e krejt ato erdhën këta mburren tash me njohjen e Izraelit dhe heqjen e vizave ndërkohë asnjë njohje të vetme dhe nuk ka asnjë përkushtim dorën në zemër e kemi kriju bindjen se këta nuk dinë as të lobojnë nuk dinë as të negociojnë nuk dinë të bëjnë as politikë në fakt, e patë dështimin për anëtarësim në Këshill të Evropës”, tha deputeti.
Ai shton se Kosova në aspektin e diplomacisë së jashtme është në izolim total si dhe në vetëdëmtim e vetëshkatërrim të perspektives së shtetit të Kosovës.
“Jemi në ditën e 367 të sanksioneve të vendosura nga BE-ja dhe sot Kuvendi i Kosovës i vendos në agjendë dhe nuk i pranon vërejtjet dhe rekomandimet e qarta dhe shumë konkrete të vetë BE-së që i bie nëse këtë nuk janë në rrugë me standardet e BE-së nuk kanë komunikim të rregullt dhe miqësor me shtetin e BE-së nëse nuk janë në gjendje që t’i bindin ata se Kosovës duhet t’i hiqen masat se jemi në rrugën e drejtë çfarë njohje mundëson kjo kjo është diplomaci, diplomaci vetëizoluese, vetëshkatërruese dhe vetëdëmtuese e perspektivës së shtetit të Kosovës dhe si të tillë këta që nga 2021 në kontekstin e rolit të Kosovës pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare e kanë degraduar skajshmërisht. Këta e kanë ulë nivelin për tokë të imazhit të Kosovës në perëndim fatkeqësisht e vërteta është kjo kemi mendu ndoshta mund të kenë vullnet për me i përmirësua gjërat mirëpo kanë tregu që vullneti është i mbrapsht dhe e dyta kompetenca nuk ka dije kjo qeveri, ministria e jashtme është e padijshme është mediokriteti këmbëkryq me këtë qeveri përfshirë edhe në çdo agjenci ku këta po i vendosin njerëzit e vetë fatkeqësisht”, tha ai.
Ndryshe, Kosova është e njohur në mbi 100 shtete të Bashkimit Evropian, ndërsa shteti i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli me 1 shkurt të vitit 2021.