Klubi i futbollit Llapi ka shprehur pakënaqësi të thellë pas humbjes në ndeshjen ndaj Prishtinës, duke akuzuar referin Genc Nuza për një gjykim të padrejtë dhe të njëanshëm që, sipas tyre, ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes.
Në një deklaratë zyrtare, klubi theksoi se nga minuta e parë, gjykimi i Nuzës ishte tendencioz dhe jo korrekt, duke favorizuar qartë ekipin nga kryeqyteti.
Sipas kryesisë së Llapit, referimi i kësaj ndeshjeje tregon se kampionati mund të mos zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, duke rrezikuar që përpjekjet dhe mundi i lojtarëve dhe stafit të klubit të humbin për shkak të veprimeve të gjyqtarëve. Ata e kritikuan ashpër Nuzën, duke theksuar se një referim i tillë nuk i shërben futbollit kosovar dhe kërkuan që ai të mos caktohet më kurrë si gjyqtar në ndeshjet e Llapit.
Gjithashtu, klubi i Llapit shprehu shqetësim për incidentet gjatë ndeshjes, ku trajneri i tyre u fye nga tifozët e Prishtinës pa u marrë masa nga gjyqtari apo delegati i ndeshjes. Ata kritikuan vendimin e Nuzës për ta ndëshkuar trajnerin e Llapit me karton të kuq pas reagimit të tij ndaj fyerjeve.
Llapi paralajmëroi se nëse Federata e Futbollit të Kosovës nuk ndërmerr masa ndaj Genc Nuzës dhe stafit të tij, klubi nuk do të garantojë sigurinë e tij nëse ai referon përsëri në Podujevë. Në fund të deklaratës, klubi theksoi se për ta, fitorja duhet të vendoset në fushën e lojës, dhe jo nga vendimet e gjyqtarëve.