Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në rrjetin social ka deklaruar se Zgjerimi dhe ndërtimi i Sheshit “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, do të bëhet, mesazh para Seancës së Kuvendit të Drenasit, ku pritet të votohet propozimi për bartjen e mjeteve për këtë destinim, raporton Scanner.
Lladrovci ka shkruar se “nuk pres që projekti i paraparë, si Sheshi më i bukur në vend dhe në rajon, si vetë heronjtë tanë, mund të pengohet nga dikush që ka marrë besimin qytetar për punë të mira për qytetarët dhe për komunën tonë”.
Postimi i plotë:
Zgjerimi dhe ndërtimi i Sheshit “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” Drenas, do të bëhet!
Votimi i Prillit për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake, për projektin e miratuar nga MAPL – “Zgjerimi dhe ndërtimi i Sheshit “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” Drenas”, nuk pati vota të mjaftueshme për miratim. Propozim vendimi për bartjen e mjeteve për këtë qëllim, do të jetë edhe në Seancën e sotme. Pres që propozimi të miratohet.
Pse pres të miratohet? Pres të miratohet, sepse, është shesh që ka bashkuar heronjtë Adem, Hamëz e Shaban Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Bedri Shalën, Rasim Kiçinën, Ilaz Kodrën, Hafir Shalën dhe së shpejti edhe Asllan Fazliun.
E di se dikujt edhe ju pengojnë këto shtatore dhe ka mundur të dëgjohet nga keqbërësit se Drenasi u mbush me shtatore “sikur në Shkup”, por kjo nuk na ka dekurajuar ta themi se “sheshi është i heronjve”, i atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë.
Ky Shesh, është pasqyra dhe shpirti i Drenasit dhe Drenicës, shesh i krenarisë tonë dhe garanci se e tashmja dhe e ardhmja jonë ka zot, në shtetin tonë të lirë.
Nuk pres që projekti i paraparë, si Sheshi më i bukur në vend dhe në rajon, si vetë heronjtë tanë, mund të pengohet nga dikush që ka marrë besimin qytetar për punë të mira për qytetarët dhe për komunën tonë.
Normalisht, kushdo që të jetë kundër Sheshit, duhet ta dijë se Sheshi vetëm mund të ketë vonesa, por të ndalet – jo, kurrë.
https://instagram.com/p/CssrGCgA-_2/