Liverpooli merr vendim rreth rikthimit të mundshëm të Arnoldit

- Advertisement -
Liverpooli thuhet se ka marrë një vendim nëse do të tentojë ta rikthejë Trent Alexander-Arnoldin në klub, pasi Real Madridi ka bërë të qartë se është i gatshëm ta shesë mbrojtësin e krahut të djathtë për çmimin e duhur.

Alexander-Arnold, 28 vjeç, u largua nga Liverpooli për t’iu bashkuar “Los Blancos” në vitin 2025, duke e lënë klubin e fëmijërisë së tij në një atmosferë të tensionuar.

Shumë tifozë ishin të zhgënjyer me vendimin e tij për t’u larguar, veçanërisht pasi “The Reds” sapo ishin shpallur kampionë të Premierligës.

Që nga transferimi në kryeqytetin spanjoll, gjërat nuk kanë shkuar sipas planit për anglezin. Lëndimet e shumta ia ndërprenë sezonin e parë dhe e kufizuan në vetëm 30 paraqitje në të gjitha garat.

Sa i përket rezultateve kolektive, Real Madridi zhgënjeu dhe dështoi të fitonte ndonjë trofe për të dytin vit radhazi.

Rezultatet e dobëta të skuadrës çuan në shkarkimin e Xabi Alonsos dhe Alvaro Arbeloas, përpara se Jose Mourinho të rikthehej në klub, të cilin e kishte drejtuar më parë nga viti 2010 deri në vitin 2013.

Reali i Mourinhos aktualisht është gjashtë pikë prapa Barcelonës kryesuese në La Liga, para “El Clásicos” së nesërme.

Ndërkohë, Alexander-Arnold duket se është zgjedhja e tretë për pozitën e mbrojtësit të djathtë, pas Denzel Dumfriesit dhe mesfushorit Fede Valverde, i cili zakonisht aktivizohet në atë rol.

Reprezentuesi anglez ka regjistruar vetëm gjashtë paraqitje deri më tani këtë sezon, prej të cilave vetëm tri si titullar.

Mungesa e minutave të lojës e ka vendosur atë përballë një vendimi për të ardhmen e tij. Alexander-Arnold ishte lidhur më parë me një rikthim në Premierligë gjatë verës së kaluar, ndërsa Newcastle dhe Liverpooli përmendeshin si klubet e interesuara. Megjithatë, asnjë transferim nuk u realizua.

Alexander-Arnold, i cili ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2031, mund të detyrohet së shpejti të largohet nga “Los Blancos”, pasi klubi synon të kufizojë humbjet nga ky transferim. Sipas raportimeve të “Football Insider”, gjiganti spanjoll është i gatshëm ta shesë atë për çmimin e duhur.

Megjithatë, rikthimi te Liverpooli nuk duket se është në planet e lojtarit, pasi raportimet sugjerojnë se klubi anglez ka vendosur të mos tentojë transferimin e mbrojtësit të rritur në qytetin e Liverpoolit.

Gazetari Peter O’Rourke shpjegoi: “Nuk mendoj se ka diçka konkrete sa i përket mundësisë së rikthimit të tij te Liverpooli. Gjithmonë do të ketë lidhje të natyrshme mes Trent Alexander-Arnoldit dhe Liverpoolit. Ai ishte një lojtar i shkëlqyer për ta përpara se t’i bashkohej Real Madridit. Ai ka pasur vështirësi për ta siguruar një vend të rregullt në formacion këtë sezon nën drejtimin e Jose Mourinhos, ndërsa tani edhe Valverde po preferohet para tij në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Prandaj, gjithmonë do të ketë spekulime rreth situatës së tij”.

Raportimet e mëparshme sugjeronin se edhe klubet e tjera angleze, Arsenali, Manchester City dhe Chelsea, po e monitoronin situatën e 28-vjeçarit.

Alexander-Arnold ka zbuluar se, në fakt, e ka vizituar qytetin e Liverpoolit për ta takuar familjen që nga transferimi i tij, duke theksuar se vazhdon t’i shikojë të gjitha ndeshjet e klubit, i cili do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën e tij.

“Që nga largimi drejt Real Madridit, jam kthyer disa herë në Liverpool për ta vizituar familjen”, tha ai për gazetën “Mirror” në fillim të këtij viti.

“Gjatë udhëtimeve të mia jam takuar me shumë banorë të Liverpoolit dhe tifozë të klubit. Asnjë nga ndërveprimet që kam pasur personalisht nuk pasqyron mënyrën se si njerëzit sillen në internet apo në rrjetet sociale. Kjo më ndihmon të mos i lidh ato dy gjëra me njëra-tjetrën. Nuk po them se të gjithë në Liverpool janë të kënaqur me largimin tim nga klubi. Sigurisht që nuk janë. Por kjo është krejt ndryshe nga gjërat që shkojnë përtej futbollit. Për këtë arsye, nuk e lejoj veten të ndihem shumë keq për këtë dhe nuk e mbaj mendjen aty”, tha ai.

“Vazhdoj t’i shikoj të gjitha ndeshjet”, shtoi ai.

“I mbështes. Dua t’i shoh duke pasur sukses. Më pëlqen t’i shikoj dhe Liverpooli do të ketë gjithmonë një vend në zemrën time, pavarësisht gjithçkaje. Për mua, ai është shtëpia. Është vendi që më dha mundësitë për të arritur gjithçka që kam arritur dhe gjithmonë do ta dua. Është një vend që do ta quaj shtëpi përgjithmonë”, u shpreh ai.

Trent gjithashtu u aktivizua si zëvendësues për Real Madridin në ndeshjen kundër Liverpoolit në “Anfield”, gjatë sezonit 2025/26 në Ligën e Kampionëve.

Të ngjashme

Të fundit